Në kuadër të Javës Evropiane të Lëvizshmërisë, në qytetin e Durrësit u zhvillua aktiviteti me karakter edukues “Fëmijët për një Lëvizshmëri të Gjelbër”, i cili bashkoi fëmijë, prindër dhe edukatorë në një nismë të frytshme për ndërgjegjësimin e brezave të rinj mbi rëndësinë e mjedisit dhe të zgjedhjeve të qëndrueshme në përditshmëri.

Aktiviteti u organizua nga Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM) në bashkëpunim me qendrën sociale “Durrësi Aktiv”, dhe përfshiu një pedalim simbolik prej 5 kilometrash në rrugët e qytetit, nën masa sigurie të garantuara nga patrullat e Policisë Bashkiake të Durrësit, të cilat shoqëruan fëmijët gjatë gjithë itinerarit dhe siguruan ndalimin e përkohshëm të qarkullimit në disa akse të qytetit.

Në këtë aktivitet morën pjesë fëmijë të shoqëruar nga prindërit dhe mësuesit e tyre, përfshirë edhe mësuesen Romina Kasembi, e angazhuar prej kohësh në edukimin qytetar dhe mjedisor të nxënësve të saj.

Edukim praktik për një të ardhme të qëndrueshme
Pas pedalimit, fëmijët u mblodhën në ambientet e qendrës “Durrësi Aktiv” për të marrë pjesë në një orë të hapur edukimi mbi mbetjet, ku u prezantuan me konceptin e ndarjes në burim, procesin e riciklimit dhe ripërdorimin e materialeve, si mënyra të thjeshta por shumë efektive për të reduktuar ndikimin negativ në mjedis.

Fëmijët mësuan se çdo veprim i tyre ka pasoja të drejtpërdrejta në natyrë, dhe se ndarja e mbetjeve në burim – organike, plastike, letër apo metal – është një hap i thjeshtë që mund të bëjë një ndryshim të madh në ruajtjen e mjedisit. Përmes diskutimeve, lojërave edukative dhe shembujve praktikë, ata u përfshinë në një proces mësimor që synon të ndikojë në sjelljen e tyre të përditshme dhe të rrisë përgjegjësinë individuale dhe kolektive për natyrën.

Biçikleta – më shumë se një mjet transporti
Ky aktivitet u bë gjithashtu një mundësi për të nënvizuar rëndësinë e përdorimit të biçikletës si një alternativë e pastër dhe e shëndetshme ndaj mjeteve me karburant. Fëmijëve iu shpjegua sesi përdorimi i biçikletës redukton ndjeshëm ndotjen e ajrit, trafikun urban dhe emetimet e gazrave serrë, duke kontribuar realisht në përmirësimin e cilësisë së jetës në qytet.

Biçikleta u paraqit si një simbol i lëvizshmërisë së qëndrueshme dhe një mënyrë konkrete për të ndryshuar zakonet e përditshme në funksion të një mjedisi më të pastër.

Një javë në shërbim të edukimit mjedisor
Ky aktivitet ishte pjesë e një programi të gjerë që AKEM ka zhvilluar përgjatë kësaj jave me fokus femijet dhe levizshmerine me biciklete, me qëllim ndërgjegjësimin e fëmijëve të grupmoshave të ndryshme për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe rolin e tyre si qytetarë aktivë. Përmes lojërave, punëtorive edukative dhe aktiviteteve në terren, fëmijët janë nxitur të reflektojnë mbi ndikimin e veprimeve të tyre në natyrë dhe rëndësinë e përfshirjes personale në ruajtjen e saj.

Ndryshimi fillon që në fëmijëri – me njohuri, me shembull dhe me veprim konkret.
Fëmijët që mësojnë të kujdesen për mjedisin sot, do të ndërtojnë një të nesërme më të gjelbër për të gjithë.