Protestat e organizuara nga sindikatat bazë në mbështetje të Gazës u shoqëruan me përplasje të dhunshme në disa qytete të Italisë. Marshimi në Milano, i cili nisi paqësisht në stacionin Cadorna, degjeneroi në përleshje me policinë pranë Stacionit Qendror të trenit. Dritare të thyer, objekte të hedhura ndaj forcave të rendit dhe përdorimi i gazit lotsjellës shënuan pasditen, ndërsa dhjetëra pasagjerë mbetën të bllokuar e të frikësuar.

Tetë protestues u shoqëruan në polici dhe rreth 60 efektivë u plagosën, 23 prej tyre u dërguan në spital. Kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, e dënoi dhunën si akt vandal të pajustifikueshëm, duke theksuar se nuk i shërben kauzës palestineze.

Hetimet e prokurorisë janë në vijim, ndërsa pamjet filmike po analizohen për të identifikuar autorët e dhunës. Ngjarjet kanë marrë dënim të gjerë politik në Itali.