Një nga surprizat më të mëdha të merkatos së verës në Superiore, ishte largimi në limitet e saj i Matias Llocit nga radhët e Teutës. Mesfushori kishte qenë një nga emrat më të spikatur te durrsakët në edicionin e kaluar dhe pritej të ishte pjesë e projektit të ri që nisi në klub.
Por palët ndanë rrugët me mirëkuptim dhe Lloci i dha lamtumirën skuadrës durrsake për t’u transferuar përsëri në Belgjikë, ku ka firmosur me Sporting Lokeren në kategorinë e dytë. Që në ndeshjen e dytë me këtë skuadër, futbollisti është bërë protagonist absolut me gol dhe asist në barazimin 3-3 ndaj Eupen.
I rreshtuar si mbrojtës i djathtë në radhët e Sporting Lokeren, Lloci në minutën e 33-të doli në ndihmë të sulmit dhe dha asistin për golin e avantazhit të përkohshëm të skuadrës së tij. Por në pjesën e dytë, atij iu dha një detyrë më ofensive dhe futbollisti nuk gaboi me daljet përpara, pasi një gjuajtje e tij me kokë në minutën e 76-të, solli barazimin përfundimtar 3-3 për Lokeren që ndali kësisoj një nga ekipet pretendente për ngjitjen në elitë.





