Në vetëm 80 ditë Masimiliano Alegri ka arritur të transformojë Milanin, duke e kthyer në një grup të bashkuar dhe kompetitiv.alegriKatër fitoret radhazi pa pësuar gola nuk janë rastësi, por rezultat i një revolucioni të heshtur që ka nisur menjëherë pas rikthimit të trajnerit në pankinën kuqezi. Puna nuk është kufizuar vetëm te aspekti taktik. Alegri ka vënë dorë mbi detajet e përditshme, duke krijuar rregulla të reja që synojnë t’i japin ekipit një identitet të qartë dhe të pandryshueshëm. Objektivi është i vetëm: të ndërtohet një grup i vërtetë, ku çdo lojtar ndihet pjesë e tërësisë dhe kontribuon në sukses.

Një nga vendimet simbolike është ndryshimi i tavolinës së ngrënies në Milanelo. Nuk ka më formacione të rrumbullakëta që krijojnë klane të vogla, por tavolina katrore që i detyron të gjithë të qëndrojnë së bashku. Kjo ka rritur bashkëbisedimin dhe ka thyer barrierat mes lojtarëve. Një tjetër element i rëndësishëm është gjuha. Në ambientin kuqezi tani flitet vetëm italisht. Rregulli, i mbështetur edhe nga Zlatan Ibrahimoviç, ka një arsye praktike: për të kuptuar arbitrin, shokët e skuadrës apo kundërshtarin, komunikimi duhet të jetë i qartë dhe i unifikuar.

Ky detaj ka përshpejtuar integrimin e të huajve dhe ka krijuar më shumë kohezion. Alegri ka vendosur gjithashtu një kod të ri veshjeje. Për çdo ndeshje jashtë fushe, jo vetëm lojtarët, por edhe stafi dhe magazinierët duhet të paraqiten me kostum. Një shenjë respekti dhe përkatësie, një imazh unik që përfaqëson klubin dhe tregon seriozitetin e punës. Përgatitja e ndeshjeve është bërë më rigoroze. Seancat stërvitore zhvillohen me disiplinë të plotë, pa hapësirë për shpërqendrim.

Lojtarët e kanë kuptuar qartë se standardi është rritur dhe vetëm kush respekton rregullat do të ketë hapësirë në këtë Milan të ri. Rezultatet në fushë flasin vetë. Katër ndeshje, katër fitore dhe asnjë gol i pësuar janë shenjë se rruga është ajo e duhura. Grupi duket më kompakt, tifozët kanë rifituar entuziazmin dhe në horizont tashmë shihet ëndrra e “yllit të dytë”. Prova e parë e madhe do të jetë në “San Siro” kundër Napolit. Një test i vërtetë për të matur forcën e vërtetë të skuadrës. Alegri dhe lojtarët e tij e dinë mirë: rregullat janë vendosur, fryma e grupit është kthyer, tani flet vetëm fusha.