Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli është paraqitur para pak çastesh në SPAK, ku edhe i është komunikuar akuza për korrupsion zgjedhor. Shkrelit i ka mbërritur fletëthirrja nga SPAK dhe sot u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa shoqërohej nga avokati i tij.
Prokuroria e Posaçme kishte marrë më herët autorizim në Gjykatë për kontrollin personal të kryetarit të bashkisë, vendim që u zbatua nga Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Gjithashtu me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, u sekuestruan edhe celularët e disa mbështetëse të PDS-së, pasi ka dyshime se u përfshinë në shit-blerjen e votës në Qarkun Shkodër. Vlen të rikujtojmë se një ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, celulari i Shkrelit u sekuestrua me urdhër të SPAK.





