Ish-kryebashkiaku i Tiranës vazhdon të rëndojë pozitat e tij penale. Erion Veliaj në mënyrë të vazhdueshme shkel ligjin, vijon të kryejë vepra penale, të cilat dënohen nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, nga ai i vjetri, jo ky i riu i Ulsiut, siç ka qejf ta quajë Mero Baze ‘mastermind-i’, mendja kryesore dhe strategjike e Erion Veliajt.

Në fakt, ish-kryebashkiaku, i cili ndodhet në burgun e Durrësit, mesa duket po bëhet jurist, pasi po t’i shikojmë veprimet e tij ligjore është për t’u habitur, aq sa mund të thuash kaq të paaftë janë avokatët e tij shqiptarë apo të huaj?

Më shumë sesa lëvizje të mirëfillta ligjore për ta ndihmuar ish-kryebashkiakun duken veprime të bëra nga një njeri që jurisprudencën e njeh shumë pak ose ndoshta është në hapat e parë të mësimit.

Prandaj ndoshta po kërkon të bëhet vetë jurist dhe avokat dhe po mëson, do të ketë dhe kohë, se në burg është, por thjesht dhe vetëm rëndon pozitat e tij në vazhdimësi me të gjitha veprimet.

Ai ka reaguar në rrjetet sociale dy ditë më parë, kur publikoi një material, pra në datën 1 tetor, në orën 12:19, ku thuhet mesazh nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Fakti është që në datën 1 tetor Erion Veliaj nuk ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Në datën 23 shtator, Veliaj është shkarkuar nga Këshilli Bashkiak, më pas ka qenë Këshilli i Ministrave që ka bërë veprimin final dhe i ka vendosur vulën dhe Presidenti, i cili menjëherë ka shpallur datën e zgjedhjeve.

Pra, nuk është më Erion Veliaj kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ku qëndron vepra penale dhe shkelja e ligjit sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Në nenin 246, përcaktohet përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore.

Saktësisht në këtë nen thuhet se përvetësimi i një titulli apo detyre shtetërore me kryerjen e veprimeve që i takojnë mbajtësit të titullit apo të detyrës, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 vjet.

Në këtë rast Erion Veliaj ka “vjedhur” dhe ka kryer veprime me ermin e Bashkisë së Tiranës, pasi ai nuk është kryetar i Bashkisë së Tiranës, është shkarkuar në datën 25 shtator dhe nuk e ushtron më këtë detyrë sipas ligjit dhe në mënyrë abuzive ai ka përvetësuar titullin dhe detyrën shtetërore.

Ai e ka mbajtur atë titull, por nuk është më mbajtësi i tij, ndaj dhe kush e përdor atë titull, në publik për më tepër, me mesazhe dhe me qëndrime të qarta mban përgjegjësi penale.

Ndoshta 13 akuzat, nenet e Kodit Penal, të cilat e çojnë nga 5-10 vjet burg apo nga 7-15 vite burg siç është vepra pastrim i produkteve të veprës penale, e bëjnë Erionin që këto veprat e vogla që janë me gjobë dhe deri në dy vjet burg të mos i bien në sy, por në fakt kjo është një tjetër vepër penale.

Tani ky shkrimi ynë le t’i shërbejë si këshillë kryebashkiakut apo juristëve që e ndjekin nga pas, jo ata që nuk e mbështesin në çmenduritë e tij, por ata që bëjnë postime në rrjetet sociale dhe mbajnë qëndrime të tilla publike duke kërkuar të tregojnë se Erion Veliaj nuk ka lidhje me inceneratorët, por këtë çështje me shtetasin italian Gabriele Tarroni Longinotti ne sqaruam në këtë shkrim.

Në fakt, mund të mos ketë lidhje me atë individ, por që ka lidhje me njerëzit e inceneratorëve dhe landfillin e Tiranës kjo nuk diskutohet. Më tej, postimi i bërë në vetvete është një shkelje, e cila dënohet me gjobë dhe deri në dy vjet burg.

Nuk do të kishte asgjë të gabuar në rast se do të quhej postim nga ish-kryetari i bashkisë, është një titull që do ta mbajë përjetësisht, qoftë në burg, qoftë jashtë tij.

Por, në momentin që bën postime si kryetari i bashkisë është duke shkelur ligjin dhe duke kryer një vepër penale./ CNA