Një i ri rreth 30 vjeç, me inicialet J.S., është gjetur i dëmtuar në rrugë nga familjarët e tij në lagjen 15 të qytetit të Korçës. Mësohet se ka qenë pikërisht familja ajo që e ka transportuar menjëherë drejt spitalit për ndihmë mjekësore.

Sipas burimeve për mediat, i riu nuk ka dhënë ende asnjë deklaratë në lidhje me ngjarjen, duke pohuar se nuk mban mend asgjë nga çfarë ka ndodhur.

Aktualisht, nuk dihet nëse ai është rrëzuar aksidentalisht apo është bërë objekt i ndonjë dhune. Burime nga spitali bëjnë me dije se gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e incidentit dhe për të përcaktuar shkakun e dëmtimeve që ka pësuar i riu.