Nga Melissa Hogenboom, BBC

Në përgjithësi, përfitimet e aktivitetit fizik janë më të mëdha se rreziqet nga ndotja e ajrit. Por ka disa mënyra për të minimizuar ekspozimin.

Teksa prisja të kaloja rrugën gjatë një vrapi në mëngjes, një furgon u ndal pranë meje. Nuk mund të mos thithja një re të dendur tymi nga shkarkimi.

Për një çiklist dhe vrapues të rregullt që jeton në Londër, kjo mund të jetë e vështirë për t’u shmangur. Aktiviteti fizik është pjesë e rrugëtimit tim të përditshëm, ndaj shpesh ngelem pas trafikut ndërsa pres që semaforët të ndryshojnë.

Teksa kollitem nga vala e fundit e ajrit të ndotur, shpesh pyes veten: a po më bën më shumë dëm sesa mirë ushtrimi fizik në rrugët e ndotura?

Ja çfarë duhet të dini për rreziqet dhe përfitimet, si dhe mënyrat më të mira për t’u mbrojtur gjatë aktivitetit fizik në mjediset urbane.

Çfarë ka në ajrin që thithim?

Dihet se ndotja e ajrit lidhet me sëmundje kronike, përfshirë sëmundjet e zemrës, problemet e frymëmarrjes, kancerin, si dhe një rrezik më të lartë për vdekje të parakohshme.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 99% e popullsisë së botës thith ajër të ndotur, duke shkaktuar rreth 6.7 milionë vdekje të parakohshme çdo vit.

Ndotja e ajrit prek pothuajse të gjitha organet e trupit, thotë Audrey de Nazelle, profesore e asociuar në Imperial College London, e cila studion ndikimin e ndotjes te aktiviteti fizik.

“Dikur mendonim se ndikonte vetëm te sëmundjet e frymëmarrjes, por lidhet gjithashtu me sëmundjet kardiovaskulare, diabetin, funksionin njohës dhe problemet riprodhuese”, shprehet ajo.

Një shqetësim kryesor janë grimcat PM2.5, grimca shumë të vogla me diametër vetëm 2.5 mikrometra. Ato janë rreth 30 herë më të vogla se gjerësia e një fijeje floku. Çlirohen drejtpërdrejt në ajër, ndër të tjera, nga trafiku dhe mund të depërtojnë thellë në mushkëri, të kalojnë në qarkullimin e gjakut dhe të përhapen në të gjithë trupin.

Me kalimin e kohës, grumbullimi i këtyre grimcave mund të ndikojë edhe në tru. Një studim i vitit 2025, që analizoi 51 studime dhe të dhëna nga më shumë se 29 milionë njerëz, gjeti një lidhje mes tre llojeve të ndotjes së ajrit dhe rritjes së rrezikut për sëmundjen e Parkinsonit. Një prej tyre ishte PM2.5.

“Kur grimcat janë kaq të vogla, ato mund të kalojnë barrierën gjak-tru, të dëmtojnë enët e gjakut dhe vetë barrierën, por gjithashtu mund të përfundojnë në tru”, thotë Haneen Khreis, epidemiologe në Universitetin e Kembrixhit dhe bashkëautore e studimit.

Por ka edhe ndotës të tjerë. Gjatë aktivitetit fizik pranë rrugëve të ngarkuara ose në qytete, thithim dioksid azoti, i cili gjithashtu është lidhur me rritjen e rrezikut për Parkinsonin. Dioksidi i azotit mendohet se shkakton inflamacion të mushkërive dhe, në afatgjatë, mund të dëmtojë zhvillimin dhe funksionimin e tyre.

Në ajër gjenden gjithashtu dioksidi i squfurit, amoniaku, monoksidi i karbonit dhe ozoni në nivelin e tokës.

Kur vrapojmë, çiklizojmë ose ushtrohemi intensivisht, marrim frymë më shpejt dhe më thellë. Kjo do të thotë se thithim më shumë ajër të ndotur gjatë vrapimit sesa gjatë ecjes. Kur përshkojmë të njëjtën distancë, personat që ushtrohen me intensitet më të lartë marrin një dozë më të madhe grimcash të dëmshme në mushkëri.

Por, çuditërisht, edhe qëndrimi në makinë nuk na mbron plotësisht nga ndotja. Ekspozimi personal gjatë lëvizjes me biçikletë mund të jetë më i ulët sesa kur qëndron në makinë, pasi gjatë çiklizmit je vazhdimisht në lëvizje dhe qarkullimi i ajrit është më i madh.

Dhe nuk është vetëm trafiku. Transporti nëntokësor në qytete si Londra dhe Nju Jorku mund të ketë përqendrime të larta të grimcave të imta, shumë prej të cilave janë pluhur i pasur me metale, i krijuar nga fërkimi i rrotave, shinave dhe frenave.

Përfitimet e aktivitetit fizik janë më të mëdha se dëmet

“Lajmi i mirë është se përfitimet që merrni nga aktiviteti fizik në qytetet e ndotura janë më të mëdha se rreziqet”, thotë de Nazelle.

Në fakt, aktiviteti fizik mund të ndihmojë në mbrojtjen e organizmit nga ndotja.

Në një studim të vitit 2016, de Nazelle dhe kolegët e saj analizuan pikërisht këtë çështje. Nëpërmjet një modeli, ata vlerësuan se përfitimet shëndetësore të ecjes dhe çiklizmit janë më të mëdha se dëmet nga ajri i ndotur. Vetëm në nivele jashtëzakonisht të larta të ndotjes, si ato të regjistruara në disa prej qyteteve më të ndotura në botë, si Delhi në Indi, rreziqet fillojnë t’u afrohen ose t’i tejkalojnë përfitimet e aktivitetit fizik të zgjatur.

Edhe në zonat e ndotura, aktiviteti fizik ul rrezikun e vdekjes së parakohshme. Një studim i fundit gjeti se aktiviteti fizik në mjedise me ajër të ndotur lidhej me një ulje prej 26% të rrezikut të vdekshmërisë, krahasuar me mungesën e aktivitetit fizik. Në ajër më të pastër, ulja ishte edhe më e madhe, rreth 31%.

Megjithatë, përfitimet e aktivitetit fizik në natyrë nuk e tejkalojnë gjithmonë rrezikun e ndotjes së ajrit. Duhet të merren parasysh edhe kushtet individuale shëndetësore. Personat me sëmundje ekzistuese, si astma ose sëmundjet kardiovaskulare, duhet të jenë më të kujdesshëm.

Studime të tjera kanë treguar se aktiviteti fizik përmirëson funksionin e mushkërive dhe ul presionin e gjakut edhe në zona të ndotura. Ai mund të ndihmojë gjithashtu në kundërshtimin e disa prej ndikimeve të ndotjes në funksionet njohëse.

Megjithatë, niveli i ndotjes së ajrit që thithim ka një rëndësi të madhe.

Në vitin 2018, Sinharay dhe kolegët e tij përfshinë në një studim persona të shëndetshëm, si dhe të moshuar me sëmundje pulmonare obstruktive kronike (SPOK) ose sëmundje koronare të zemrës. Pjesëmarrësve iu kërkua të bënin një ecje dyorëshe në një park ose përgjatë një rruge të ngarkuar në Londër.

Ekipi zbuloi se, pas vetëm dy orësh, personat që ecnin në një zonë me ajër më të pastër kishin përmirësim të funksionit të mushkërive dhe enëve të gjakut. Ata që ecnin në zonën me ndotje të lartë patën përfitime më të vogla. Te personat me SPOK, ekspozimi ndaj ndotjes u shoqërua me përkeqësim të simptomave.

Me fjalë të tjera, aktiviteti fizik neutralizon shumë nga dëmet e ndotjes, por e kundërta është gjithashtu e vërtetë: ndotja e lartë redukton efektet mbrojtëse të aktivitetit fizik. Ajo madje zbeh edhe përfitimet që aktiviteti fizik ka për funksionet njohëse.

Pra, në pjesën më të madhe të rasteve, përfitimet janë më të mëdha se rreziqet, por aktiviteti fizik në ajër të ndotur sërish nuk është ideal.

Si të minimizoni ekspozimin?

Për ata që jetojnë në qytete të mëdha, nuk është e mundur thjesht të zhvendosen në fshat për të bërë vrap. Por alternativa më e mirë është të gjeni zonën më të gjelbër ose më pak të trafikuar pranë jush.

Për shembull, mund të zgjidhni një rrugë me më pak trafik për të lëvizur me biçikletë, edhe nëse kjo do t’ju marrë disa minuta më shumë.

Kërkimet tregojnë se largimi vetëm një ose dy rrugica nga trafiku i rënduar mund ta ulë ekspozimin ndaj ndotjes me 20% deri në 30%. Nëse mund të zgjidhni rrugë dytësore, edhe më mirë. Një studim zbuloi se përdorimi i rrugëve dytësore në vend të rrugëve të ngarkuara mund ta ulë ekspozimin me 50%.

Nëse është e mundur, këshillohet gjithashtu të shmangni oraret e pikut. Makinat e ndaluara në trafik krijojnë “vatra ndotjeje”, thotë Khreis.

Gjithashtu, duhet pasur kujdes gjatë pasditeve të nxehta dhe me diell, kur nivelet e ozonit mund të rriten. Ozoni formohet më lehtë kur temperaturat janë të larta dhe ka shumë rrezatim diellor. Kombinimi i këtyre faktorëve me ndotjen e trafikut mund ta përkeqësojë situatën.

Së fundmi, mund të ndihmojë monitorimi i indekseve lokale të cilësisë së ajrit. Ato tregojnë nivelet e ndotjes në zonën tuaj në një ditë të caktuar.

Në ditët kur ndotja e ajrit është më e lartë, Sinharay këshillon që aktiviteti fizik të kryhet në ambiente të mbyllura ose në parqe.

Në një këndvështrim më të gjerë, megjithatë, ndryshimet në politikat publike do të kishin ndikim më të madh sesa masat që marrim individualisht, thotë Khreis. Zgjedhjet personale mund të ndihmojnë në reduktimin e ekspozimit, por mbrojtja më efektive është reduktimi i emetimeve që në burim.

Për vrapin e radhës, ndoshta parku pranë shtëpisë është zgjedhja më e mirë./ BBC