Banorët e dy pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Durrës janë mbledhur mëngjesin e sotëm para bashkisë për të protestuar për dy problematika të ndryshme që i shqetësojnë.
Banorët e një pallati 5 katësh në lagjen nr. 8, te Çezma e Ferrës ankohen se akt konstatimi i parë e ka vlerësuar pallatin e tyre me nivel dëmi DS2, ndërsa akt ekspertiza e thelluar e ka nxjerrë DS3.
Por në listën e grantit të rindërtimit, ata janë klasifikuar si DS2. Për këtë shqetësim ata janë takuar edhe me nënkryetarin e bashkisë, i cili sipas banorëve u ka thënë që të mos lidhin kontratën deri në marrjen e një përgjigje përfundimtare.
Por sot në bashki atyre u është thënë që për DS1 dhe DS2 është ndërprerë bonusi i qirasë dhe tashmë ndihen të detyruar të lidhin kontratën me bashkinë për përfitimin e grantit pavarësisht se pallati i tyre ka dëmtime në kolona, anim të strukturës etj.
“Si mund të firmos kontratën për të marrë 2.5 milionë lekë të vjetra dhe të futem në atë pallat ku mund të rrezikoj jetën. Le t’i bëjë bashkia riparimet me aq para dhe më pas të futemi ne aty”,- thotë njëra nga banoret që ka dalë në protestë.
Ndërkohë të tjerë banorë, kryesisht të pallatit nr.1446 lagjja nr.7 kërkojnë rihapjen e procesit për aplikimin për grantin e rindërtimit. Disa prej tyre thonë se janë emigrantë dhe pandemia i pengoi që të vinin dhe të aplikonin në kohën kur ky proces ishte i hapur.
Ndërsa të tjerë pretendojnë se nuk e dinin që godina ku banojnë ishte klasifikuar me dëmtime DS3 dhe e pabanueshme.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, kryebashkiakja Emiriana Sako tha se nuk beson se do të ketë rihapje tjetër të procesit të aplikimit te “Shtëpia ime”.
Gjatë muajit shkurt dhe pothuajse një javë në korrik, qytetarët e Durrësit të dëmtuar nga tërmeti patën mundësinë të aplikonin për përfitimin e grantit të rindërtimit. Emrat e përfituesve nga aplikimet në muajin korrik nuk kanë kaluar ende për miratim në Këshillin Bashkiak.
M.B.





