Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj ka deklaruar se partia e tij nuk e mbështet procesin e përzgjedhjes së kandidaturës së Florian Binajt.

Në një deklaratë për shtyp, ai tha se “qëllimi ynë nuk ishte të impononim emrin e kandidatit, por të zgjidhnim kandidatin e duhur.

“Mënyra më e mire është realizmi i sondazhit. Si mund të merret ky vendim ? Si mund të shkojmë ne në zgjedhje pa ditur se kush është kandidati më i mirë Kjo është e papranueshme”, tha Shehaj.

“I papërgjegjshëm do të thoja, të marrësh një vendim kaq të rëndësishëm pa bërë një matje. Nuk ka asgjë të keqe të bësh një matje. Bile është e kundërta, nuk është serioze që të marrësh një vendim pa bërë një matje.

Unë propozova para ca ditësh dje në fakt, kam thënë pajtoni një kompani të huaj të pavarur që bën sondazhe, mund të dilte Florian Binaj kandidati më i mirë por dhe mund të mos dilte ne nuk e dimë.

Si mund të shkojmë në zgjedhje pa e ditur kush është më i miri. Kjo për mendimin tim është e papranueshme”, tha kreu i “Mundësisë, Agron Shehaj.

I pyetur nëse ka patur kontakt me Berishën për procesin, Shehaj tha se nuk ka pasur asnjë kontakt me Berishën.

“Është kërkuar pasi është shpallur kandidati. E merrni me mend vetë, se sa serioze është një takim pasi Partia Demokratike ka dalë zyrtarisht me një kandidat. Komunikimin nuk e ndërpremë ne. Komunikimin, le të themi, përpjekjet tona për të dalë me një kandidat, të mbështetur nga të gjitha forcat opozitare, mbaroi momenti kur kryetari i Partisë Demokratike ka dalë vetëm me një kandidat dhe thotë “ky është kandidati që ne do mbështesim”. Tani nuk ka kuptim që ne të vazhdojmë të diskutojmë, se nuk mund të pretendojmë që Partia Demokratike, të ndërrojë mendim dhe të thotë “jo tani do vazhdojmë me këtë kandidatë”. E përsëris edhe njëherë, qëllimi ynë, e kemi thënë që ditën e parë, nuk ishte që ne të impononin emrin.

Nuk na interesonte emri. Ne na interesonte që të kishim një proces që të kishim kandidatin më të mirë, për t’i dhënë Tiranës një kryetar bashkie të pakorruptuar. Kjo ka vetëm një mënyrë për t’u bërë, siç bëjnë të gjitha partitë perëndimore, kur duan të zgjedhin kandidatin më të mirë, është të bësh një sondazh. Vetëm nëpërmjet sondazhi je i sigurt që kandidati që ti po nxjerr është më i miri. Ne nuk mund ta dimë. Ne nuk mund ta bëjmë me hamendje, nëse ky është më i miri ose nëse ai tjetri është më i keqi.”, tha Shehaj.