Pas fitores së rëndësishme ndaj Bylisit, një nga lojtarët më të spikatur të takimit, Daniel Votlai, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës dhe rezultatin e arritur.

Daniel, urime për fitoren! Si e vlerëson paraqitjen e skuadrës ndaj Bylisit?

Faleminderit! Mendoj se dhamë një paraqitje shumë të mirë si skuadër. Ishim të përqendruar, luftuam për çdo top dhe e merituam plotësisht fitoren. Bylisi është kundërshtar i fortë, por ne treguam karakter.

Ti vetë pate një performancë shumë të mirë?

Ndihem shumë mirë, sidomos kur skuadra fiton. U përpoqa të ndihmoj si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në sulm. Kur jemi të gjithë në një frymë, gjithçka bëhet më e lehtë.

Çfarë mendon se ishte çelësi i suksesit ndaj Bylisit?

Disiplina taktike dhe puna në grup. Kemi punuar shumë gjatë javës për këtë ndeshje dhe çdo lojtar e kryen detyrën e vet në mënyrën më të mirë.

Pas kësaj fitoreje, sa rriten ambiciet e skuadrës për ndeshjet e ardhshme?

Sigurisht që fitoret sjellin besim. Do të vazhdojmë me të njëjtin përkushtim, pa u eufori. Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe duam të ruajmë këtë ritëm.

Sa do t’ju ndihmojë pauza e kampionatit pas kësaj fitoreje?

Pauza vjen në momentin e duhur. Na jep kohë të rikuperohemi fizikisht dhe të përmirësojmë disa aspekte taktike. Kemi bërë ndeshje të forta njëra pas tjetrës, ndaj ky pushim i shkurtër do të na ndihmojë të rikthehemi edhe më të freskët e më të fortë.

Mesazhi yt për tifozët që ishin në stadium?

Një falënderim i madh për mbështetjen! Ata janë forca jonë shtesë në çdo ndeshje. Shpresoj t’i gëzojmë me sa më shumë fitore.