Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar sot për herë të parë publikisht deklaratën e kandidatit të pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, i mbështetur nga opozita, i cili u shpreh se gjatë fushatës nuk do të dalë në publik krah kryetarëve të partive politike.
Gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se e përshëndet plotësisht këtë qëndrim të Binajt, duke theksuar se ai përfaqëson një model të ri komunikimi me qytetarët dhe një dallim të qartë nga politikanët tradicionalë.
“E përshëndes plotësisht këtë deklaratë! Ka një linjë, një rrymë që vërtet nuk realizojnë dot dallimin mes kandidatit të pavarur të mbështetur nga partitë politike dhe kandidatit jopartiak të propozuar nga partitë politike,” tha Berisha.
Sipas tij, kandidati i pavarur që garon më vete nuk ka pse të shfaqet në skenën elektorale përkrah drejtuesve të partive, por mbështetja politike nuk mungon dhe do të jetë aktive gjatë fushatës.
“Nëse është i pavarur, nuk ka pse të bëjë fushatë me kryetarët e partive. Por partitë do të angazhohen për fushatën,” shtoi ai.
Berisha u shpreh se reagimet kritike ndaj Binajt vijnë nga një “rrymë keqdashëse”, që sipas tij është e shqetësuar nga fakti që kandidatura e tij ka premisa për mbështetje të gjerë qytetare.
Ai vlerësoi gjithashtu intervistën e fundit të aktorit dhe kandidatit për bashkinë, duke thënë se ishte një shfaqje e sinqeritetit dhe ndershmërisë.





