Angelina Jolie magjepsi në tapetin e kuq gjatë premierës së filmit “Couture” në Romë, të shtunën, më 18 tetor, në ambientet e Auditorium Parco Della Musica.

Aktorja hollivudiane tërhoqi të gjitha shikimet me një fustan elegant të zi, me shpinën e hapur, që zbulonte tatuazhet e saj të mëdha dhe të njohura.

Për këtë paraqitje, Jolie kishte zgjedhur një fustan të zi elegant, të kombinuar me takë të zezë klasike, çorape të tejdukshme dhe disa aksesorë të thjeshtë, duke ruajtur një stil të sofistikuar e minimalist.

Në krah të saj ishin bashkëaktorët Anyier Anei dhe Louis Garrel, si dhe regjisorja dhe skenaristja Alice Winocour.

Në filmin “Couture”, Angelina Jolie interpreton rolin e Maxine, një regjisore në moshë të mesme e cila merr përsipër të krijojë një projekt të shkurtër për Javën e Modës në Paris. Sipas Hollywood Reporter, brenda ngjarjeve të filmit, personazhi i saj diagnostikohet me kancer të gjirit.

Jolie, e cila ka folur hapur në të kaluarën për vendimin e saj për t’iu nënshtruar një mastektomie të dyfishtë parandaluese, deklaroi në një intervistë për revistën Hello!: “Vendosa të bëj këtë ndërhyrje sepse humba nënën dhe gjyshen time shumë herët. Kam gjenin BRCA, ndaj vendosa t’i nënshtrohem një mastektomie të dyfishtë dhjetë vite më parë. Më pas hoqa edhe vezoret, sepse edhe kjo i ndodhi nënës sime.”

Nëna e saj, Marcheline Bertrand, ndërroi jetë në vitin 2007 në moshën 56-vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin e gjirit dhe të vezoreve.

Angelina theksoi gjithashtu se këto ishin zgjedhje personale, duke shtuar: “Nuk them që të gjithë duhet të bëjnë të njëjtën gjë, por është e rëndësishme të kemi mundësinë e zgjedhjes. Dhe nuk e kam penduar.”

Gjatë muajit të kaluar, ndërsa promovonte filmin në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto, Jolie foli me emocion për betejën e nënës së saj me kancerin, duke ndarë një kujtim prekës: “Mbaj mend që njëherë nëna ime, gjatë një darke ku të gjithë e pyesnin si ndihej, tha: ‘Gjithçka që më pyesin ka lidhje me kancerin’. Prandaj do t’u thosha të gjithëve: nëse njihni dikë që po kalon diçka të vështirë, pyesni edhe për gjërat e tjera në jetën e tij. Ai person është më shumë sesa sëmundja që ka ai vazhdon të jetojë.”