Teuta barazoi pa gola ndaj Tiranës në një ndeshje ku ekipi durrsak tregoi dominim të qartë gjatë gjithë lojës. Qendërmbrojtësi i Teutës, Vasili Zhongo, analizon situatën aktuale të skuadrës dhe thekson rëndësinë që ka sfida e radhës me Flamurtarin.
A ju vjen keq që nuk morët tri pikë ndaj Tiranës?
Bëmë një ndeshje pozitive. U futëm për ta fituar takimin dhe e vetmja gjë që nuk shkoi ishte goli. E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë, por kishim pritshmëri maksimale. Mund të kishim shënuar sidomos në pjesën e parë, po të kishim treguar më shumë qetësi ose pak më shumë fat. Ishim të pafat dhe më vjen keq, sepse e meritonim fitoren.
Sa kapacitete ka Teuta për gjëra të mëdha këtë sezon?
Jemi bërë një ekip shumë i fortë. Janë shumë çuna të mirë, stërvitemi fort dhe kemi grup të bashkuar. Kemi barazuar 0-0, por krijuam më shumë raste. Në futboll ndodh edhe kështu. Duhet të mbajmë kokën lart dhe të vazhdojmë me fitore në ndeshjet e ardhshme.
Ndeshja e radhës është ndaj Flamurtarit. A është ky momenti për tri pikët?
Nëse japim maksimumin dhe bëjmë lojën tonë, besoj te fitorja, pavarësisht vështirësisë së ndeshjes. Jemi të detyruar të fitojmë çdo takim. Presioni është normal për një ekip që ka objektiva. Gjithsesi, e rëndësishme është të marrim pikët maksimale. Tani jemi të përqendruar vetëm te Flamurtari.
Si e shikoni sfidën ndaj vlonjatëve?
Si çdo ndeshje tjetër. Këto javë kanë treguar se nuk ka sfida të lehta, sepse ekipet janë shumë afër me njëra-tjetrën në performancë. Flamurtari ka skuadër me eksperiencë, por motivimi ynë është i lartë. Në fund të fundit, çdo ndeshje vlen tre pikë.
Ku e shihni Teutën në këtë sezon?
Kampionati është i gjatë dhe shumë skuadra po luftojnë fort. Fundi do të tregojë se cila skuadër e meriton të shpallet kampione, por ne do të luftojmë deri në fund për objektivat tanë.





