Një situatë e pazakontë ka tronditur volejbollin shqiptar. Lojtarja e Dinamos, Nayara Ferreira, është pezulluar nga Federata Shqiptare e Volejbollit, ndërsa shkak për këtë ndalim është bërë kërkesa për “testim gjinie”. Pas reklamimit nga disa ekipe kundërshtare, FSHV ka kërkuar që volejbollistja braziliane t’i nënshtrohet “testit të gjinisë”.

Një situatë e pa ndeshur më parë në Shqipëri, ku edhe vetë klubi kryeqytetas është kapur i papërgatitur, por që gjithsesi ka qenë i gatshëm së bashku me lojtaren për t’iu drejtuar gjinekologut. Për federatën kjo gjë nuk ka qenë e mjaftueshme, pasi FSHV-ja ka kërkuar analiza më të thelluara, për të vërtetuar nëse nuk kemi të bëjmë me ndryshim gjinie në të kaluarën nga Nayara Ferreira.

Kjo situatë nuk është pritur aspak mirë nga vetë volejbollistja, e cila e ka konsideruar si një diskriminim ndaj saj, ndoshta edhe për shkak të ndonjë orientimi të mundshëm seksual të volejbollistes. Kujtojmë që Nayara Ferreira është një volejbolliste me eksperiencë të madhe në arenën ndërkombëtare. E transferuar këtë verë te Dinamo, 32- vjeçarja ka një CV të pasur me eksperienca jo vetëm në shtetin e saj, në Brazil, por është aktivizuar gjithashtu edhe në Francë, Spanjë, Çeki, Finlandë, Portugali si dhe në Arabinë Saudite, para se të vishte fanellën blu.

Duke marrë shkas nga kjo situatë, për të qenë transparent, vetë Klubi i Volejbollit Dinamo, ka vendosur bashkë me lojtaren që të bëjnë analizat dhe deri në marrjen e përgjigjeve nuk ka kërkuar që të bëjë ndonjë reagim zyrtar. Gjithashtu edhe FSHV-ja ende nuk ka bërë asnjë reagim. Ndërkohë, deri në daljen e rezultatit të testit, volejbollistja mbetet e pezulluar, me Dinamon që ka humbur shërbimet e një prej lojtareve kryesore të ekipit për disa ndeshje shumë të rëndësishme në kampionat, siç ishte edhe ajo e djeshmja, derbi kundër Tiranës.