Miliarderi Richard dhe bashkëshortja e tij, Nancy Kinder nga Houston, SHBA, njoftuan se do të dhurojnë 95% të pasurisë së tyre, që arrin në rreth 11 miliardë dollarë, për bamirësi, duke ndjekur shembullin e donatorëve kryesorë si MacKenzie Scott, Warren Buffett dhe Bill dhe Melinda Gates.

Çifti tha për ABC13 se kanë ndërmend të ndajnë pjesën më të madhe të pasurisë së tyre për fondacione dhe organizata lokale, duke mbajtur rreth 550 milionë dollarë për pasardhësit e tyre.

“Ne duam që nipërit dhe mbesat tona të jenë krenarë për ne, të dinë se presim që ata të vazhdojnë atë që filluam”, tha Nancy Kinder.

Rich Kinder është bashkëthemelues dhe kryetar ekzekutiv i Kinder Morgan, një nga kompanitë më të mëdha të infrastrukturës energjetike në Amerikën e Veriut, me mbi 30,000 milje tubacionesh dhe një kapitalizim tregu prej 66 miliardë dollarësh.

Kompania renditet e 193-ta në listën Fortune 500 për vitin 2025. Sipas Fortune, Nancy Kinder është presidente dhe CEO e Fondacionit Kinder, i themeluar në vitin 1997.

Fondacioni ka dhënë më shumë se 700 milionë dollarë për projekte që lidhen me planifikimin urban, arsimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në Hjuston.

Familja Kinder ishte mbështetëse e hershme e The Giving Pledge, një iniciativë e nisur në vitin 2010 nga Bill Gates, Melinda Gates dhe Warren Buffett, duke i inkurajuar njerëzit më të pasur në botë të dhurojnë të paktën gjysmën e pasurisë së tyre për bamirësi. Që nga fillimi i tij, Fondacioni Kinder ka kontribuar më shumë se 890 milionë dollarë.