Më 23 janar të vitit 2019, shkarkimi i ish-drejtorit të Hipotekës Durrës Ardian Iljazaj nga kryeministri Rama do të ishte lajmi i ditës.

Kreu i qeverisë nuk nguroi në atë kohë ta cilësonte Iljazajn halabak, pasi në një video të shfaqur në një emision investigativ ai i thoshte një qytetari që “problemin shko të ta zgjidhë kryeministri”.

Më shumë se një vit e gjysëm më pas, Ardian Iljazaj është i vetmi kandidat në garë për postin e drejtorit pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike në bashkinë Durrës, post që mbahej deri pak muaj më parë nga kryetarja në detyrë Emiriana Sako.

Pasi dështuan dy procedurat “Ngritje në detyrë” dhe “Lëvizje Paralele” për këtë post, pasi nuk pati kandidatë që plotësonin kushtet, bashkia e Durrësit rreth një javë më parë publikoi njoftimin për dorëzimin e dokumenteve nga ana e konkurentëve jashtë shërbimit civil.

Në faqen zyrtare të bashkisë është publikuar sot njoftimi se i vetmi kandidat që do t’i nënshtrohet konkursit më datë 7 gusht është shtetasi Ardian Iljazaj.  

“Vlerësimi me shkrim dhe intervista e strukturuar me gojë do të zhvillohet në datën 07.08.2020, në ambjentet e Bashkisë Durrës ora 11.00”,– njofton bashkia.

Nuk dihet ende nëse Iljazaj do të vlerësohet nga komisioni si personi i përshtatshëm për t’u zgjedhur drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në bashkinë Durrës.

Kujtojmë se rreth 10 muaj pas shkarkimit të bujshëm nga Rama, Iljazaj do të arrestohej në kuadër të operacionit policor “Rodoni”, së bashku me ish-drejtues të tjerë të Hipotekës së Durrësit.

Si për ironi të fatit, në pranga së bashku me Iljazajn përfundoi edhe qytetari që e denoncoi dhe u bë shkaktar i shkarkimit të tij në janar 2019.