Pas një ecurie mbresëlënëse prej tetë ndeshjesh pa humbje, Teuta u ndal këtë mesjavë nga Egnatia, në një përballje ku durrsakët nuk arritën të gjenin golin. Megjithatë, për mbrojtësin Artan Jazxhi, kjo disfatë nuk është fundi i botës, por një provë karakteri për skuadrën. I qetë dhe reflektues pas ndeshjes, Jazxhi e nisi intervistën me një mesazh domethënës, që përmbledh frymën e ekipit. Si në futboll, ashtu edhe në jetë, ka momente kur, sapo të rrëshqet këmba, duhet të ngrihesh dhe të reagosh fort. Sipas tij, kjo humbje do të shërbejë si nxitje për t’u rikthyer më të fortë në ndeshjet e ardhshme.

Artan, pas tetë ndeshjesh pa humbje, të martën erdhi disfata. Si e përjetuat këtë moment?

Është gjithmonë e vështirë kur humbet, sidomos pas një periudhe të gjatë rezultatesh pozitive. Por si në futboll, ashtu edhe në jetë, ka momente kur duhet të përballesh me rënien dhe të reagosh fort. Sot nuk ishte dita jonë, por do të mësojmë nga kjo.

Çfarë mendon se nuk funksionoi për Teutën?

Në disa momente na mungoi përqendrimi dhe qartësia në veprimet e fundit. Egnatia e shfrytëzoi mirë rastet e saj, ndërsa ne nuk ishim aq të saktë para portës. Në futboll, detajet bëjnë diferencën.

Pavarësisht kësaj humbjeje, Teuta po kalon një sezon të qëndrueshëm. Si e shikon gjendjen e ekipit?

Ekipi është mirë, atmosfera është pozitive. Një humbje nuk ndryshon asgjë në qëndrimin tonë. Jemi një grup që punon fort çdo ditë dhe beson te vetja. Do të rikthehemi me më shumë energji.

Në fundjavë përballeni me Dinamon. Si po përgatiteni për atë ndeshje?

Reagimi do të jetë i menjëhershëm. Kemi karakter dhe besim te vetja. Dinamo është kundërshtar i fortë, por do të hyjmë në fushë për të marrë maksimumin. Do të japim gjithçka për t’u rikthyer te fitorja.

Çfarë mesazhi dëshiron t’u japësh tifozëve pas këtij rezultati?

Dua t’i falënderoj për mbështetjen që na japin në çdo ndeshje. Të jenë të qetë, sepse kjo skuadër do të reagojë. Do të japim gjithçka për t’u rikthyer te fitorja dhe për t’i bërë ata krenarë.