Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, do të shpallë më 7 nëntor listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit në Grupin K, të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Pas publikimit të listës, tekniku brazilian do të dalë në konferencën e zakonshme për shtyp, ku pritet të sqarojë zgjedhjet e tij për dy sfidat vendimtare që do të përcaktojnë fatin e vendit të dytë në grup, pozicion që siguron kalimin në fazën ‘play-off’.

Kuqezinjtë, të motivuar pas fitores historike në Serbi, do të synojnë të mbajnë vendin e dytë. Grumbullimi i ekipit do të zhvillohet në Barcelonë, aty ku Shqipëria do të përgatitet për sfidën e parë kundër Andorrës, e cila do të luhet në transfertë më 13 nëntor. Një fitore në atë takim, e kombinuar me një humbje të Serbisë ndaj Anglisë, do t’i garantonte kuqezinjve vendin e dytë në grup, duke i çuar më pranë ëndrrës për Botërorin 2026. Më 16 nëntor në Tiranë vjen Anglia (e kualifikuar) dhe ndeshja e fundit për këtë fushatë kualifikuese mund të kthehet në një festë kuqezi, për një arritje që nuk ka ndodhur kurrë në futbollin shqiptar.