Ish-futbollisti i Tiranës, Mladen Zizovic, ndërroi jetë mbrëmjen e të hënës në moshën 44-vjeçare. Serbo-boshnjaku ishte trajner i ekipit serb Radnicki, me këta të fundit që luanin në udhëtim kundër Mladost në Lucani. Në minutën e 20-të të sfidës, krejtësisht i pashqetësuar duke drejtuar ekipin e tij nga pista e stolit, Mladen Zizovic pësoi kolaps dhe u rrëzua në tokë duke ngritur shqetësimin e të gjithëve. Menjëherë stafet mjekësore të të dyja skuadrave i erdhën në ndihmë, ndërsa u dërgua me urgjencë në spital.
Ndeshja vijoi, por për fat të keq pas 21 minutash u mësua se Mladen Zizovic kishte ndërruar jetë. Ndeshja u anulua dhe të gjithë ishin në lot për humbjen e parakohshme. Mladen Zizovic ka qenë pjesë edhe e Tiranës si mesfushor në sezonin 2010-11 duke luajtur 18 ndeshje dhe shënuar 1 gol. KF Tirana ka shprehur ngushëllimet për këtë humbje.





