Cristiano Ronaldo ka zbuluar se ideja për t’i propozuar për martesë Georgina Rodríguez-it ka ardhur në mënyrë krejt të papritur, falë vajzës së tij. ‘Ylli’ portugez, në një intervistë me Piers Morgan, tregoi se nuk e konsideron veten njeri romantik, por një shtysë e vogël familjare e bindi të ndërmerrte hapin e madh.

“Do të jem i sinqertë, nuk jam romantik nga natyra,” u shpreh Ronaldo. “Miqtë e mi kishin sjellë unazën dhe papritur, në orën 1 të mëngjesit, vajza ime më zgjoi dhe më tha: ‘Babi, merre këtë unazë dhe propozoji mamit.’ Në atë moment e ndjeva se ishte koha e duhur. E dija se një ditë do të e bëja, por nuk e kisha planifikuar që do të ndodhte pikërisht atë natë.”

Ronaldo dhe Georgina janë bashkë që prej vitit 2016, kur u njohën në një dyqan në Madrid. Që atëherë, ata janë bërë një prej çifteve më të njohura në botën e sportit dhe showbiz-it. Nga marrëdhënia e tyre kanë lindur dy vajza: Alana Martina në vitin 2017 dhe Bella Esmeralda në vitin 2022. Krahas tyre, Georgina është një figurë qendrore edhe në jetën e fëmijëve të tjerë të Ronaldos.

Sulmuesi i Al Nassr-it tha se momenti i propozimit ishte i veçantë dhe se mbështetja e vajzës së tij e bëri edhe më emocional. “Ishte një ndjesi që do ta mbaj mend përgjithmonë,” tha ai, duke shtuar se familja mbetet forca e tij më e madhe në çdo hap të jetës.

Kështu, një nismë e vogël fëminore u kthye në një vendim të madh për Ronaldon, duke vulosur një histori dashurie që prej vitesh ka tërhequr vëmendjen e botës.