Volejbollistja e Dinamos, Nayara Ferreira, është pezulluar nga Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) pasi klubet e Vllaznisë dhe Pogradecit ishin ankuar lidhur me gjininë e saj. Diçka e tillë është e pazakontë në sportin shqiptar, ndaj FSHV vendosi të pezullojë sportisten braziliane dhe t’i kërkojë një ‘test gjinie’, diçka që hapi një diskutim të gjerë pasi sportistja u prek në dinjitetin njerëzor. Klubi i Pogradecit, një prej ankuesve, më vonë sqaroi se në dyshim nuk ishte gjinia e 32-vjeçares, por “dyshohej për terapi hormonale ose përdorim të substancave të ndaluara”.
Për DW ka folur sërish Nayara Ferreira, e cila shprehet se pezullimi dhe kërkimi i një ‘testi gjinie’ është pa bazë ligjore, por ajo e bëri vullnetarisht për të ndihmuar klubin. Me përgjigjet që ende nuk kanë dalë, Ferreira e cila ka 15 vite karrierë edhe në Evropë, shprehet se “ndihet e shkatërruar” dhe se “po çmendet” nga kjo situatë.
“Federata më kërkoi një test gjinie pa bazë ligjore. Pse po ma bëni këtë? Për shkak të fytyrës, flokëve apo tatuazheve. Përse? Ata nuk kishin asnjë bazë ligjore për të më pezulluar për tre ndeshje. Ndjej diskriminim, mungesë respekti. Ndihem e shkatërruar, po çmendem. Unë e bëra testin vullnetarisht sepse dua të ndihmoj klubin. Por nuk e kam për detyrë, nuk kam pse t’i vërtetoj askujt që jam grua, sepse unë jam grua”, tha Ferreira.
Për këtë rast foli edhe Elena Bego, kapitenia korçare e Klubit të Volejbollit Dinamo.”Ishim të shokuara. Tepër skandaloz si rast. Mund të them se është hera e parë në karrierën time që ndeshem në një situatë të tillë. E kemi mbështetur Nayarën gjatë gjithë kohës. Kemi qenë pranë saj duke folur, duke e mbështetur, sepse ne e dimë që ajo është vajzë”, tha Bego.Nayara Ferreira vijon përgatitjet me Dinamon dhe klubi i ka dhënë mbështetje maksimale në një situatë që është është e paprecedentë në sportin shqiptar.





