Ashtu si një ditë më parë, edhe mëngjesin e kësaj të mërkure është dashur ndërhyrja e Policisë Bashkiake për të shpërndarë qytetarët e mbledhur pranë Prefekturës së Durrësit.

Qytetarët qëndrojnë në radhë, pa respektuar masat anti-covid, për të aplikuar për grantin e rindërtimit, pasi sot është dita e fundit.

Teksa shifrat e të infektuarve me Covid-19 janë të larta në vendin tonë, situata duket shqetësuese pasi banorët qëndrojnë fare pranë njëri-tjetrit ndonëse një pjesë mban maskë mbrojtëse.

Me qendër zëri, makina e Policisë Bashkiake Durrës ju bën thirrje qytetarëve që të mos qëndrojnë të grumbulluar dhe të respektojnë distancën.

“Ju lutem mos qëndroni në radhë, ruani distancën. Është situatë e vështirë, ju lutem shpërndahuni”, dëgjohet të thotë efektivi.

Sot është dita e fundit e aplikimit për ata persona që jetojnë jashtë vendit , të cilët janë kthyer në Shqipëri, për të dorëzuar dosjet për përfitimin e ndihmës financiare për rikonstruksionin e banesave të dëmtuara nga tërmeti.