Futbolli i vajzave sjell jo pak herë skena të shëmtuara. Teuta dhe Gramshi luajtën në aneksin e stadiumit “Niko Dovana” duke e mbyllur me fitoren 2-1 të vendësve, ndërsa loja u ndërpre pas dhunës që shpërtheu në pjesën e parë. Ndeshja qëndroi e ndërprerë për 8 minuta. Acarimi nisi me Musajn dhe Kotarjan, që u ndëshkuan me karton të verdhë në fillimin e ndeshjes. Më pas gjyqtarja Emanuela Rusta i tregoi kartonin e kuq Leonora Dedgjonaj, që është kapiteia e Gramshit. Kjo për shkak se shkaktoi faull si lojtare e fundit.
Pas kësaj erdhi goli i Goros te Teuta. Dhuna përplasi lojtarët e të dyja skuadrave, ndërsa për qetësimin e situatës u nevojit ndërhyrja e policisë. Në pjesën e parë të dyja skuadrat mbeten me 9 lojtarë. Mikaela Metalla dhe Da Paiksao u larguan nga Teuta me karton të kuq, ndërsa Kenza Allaoui iu bashkua Dedgjonajt te Gramshi. Në pjesën e dytë, Teuta shënoi një herë tjetër dhe Gramshi ngushtoi shifrat pa arritur të ndryshojë fatin e takimit. Policia shoqëroi tre persona pas sfidës, konkretisht dy vajza dhe një djalë që ishin të afërm të vajzave.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset: L. G. dhe E. G., banuese në Tiranë, pasi dyshohet se nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të paraqitur dokumentet e identifikimit, gjatë një ndeshjeje futbolli për vajza;”,– njoftoi policia e Durrësit.





