Karim Adejemi dhe Borusia Dortmund kanë reaguar. 23- vjeçari shpreh pendesën për gabimin e tij dhe foli për herë të parë në lidhje me posedimin e paligjshëm të armëve. Dortmundi i ka urdhëruar atij kryerjen e punës komunitare. Pas disa ditëve të trazuara rreth një urdhri penal ndaj Karim Adejemit për posedim të paligjshëm të armëve, zyrtarët e Dortmundit zhvilluan të mërkurën një takim me lojtarin pas kthimit të tij nga detyrat me kombëtaren.
Drejtori i Përgjithshëm Lars Riken, drejtori sportiv Sebastian Kehl dhe sulmuesi u ulën së bashku para stërvitjes dhe folën “gjatë dhe qartë për sjelljen e tij”, siç theksoi Riken në një deklaratë. “Ne e morëm çështjen shumë seriozisht, sigurisht,” citohet të ketë thënë Riken. “Ai e pendon thellë gabimin e tij.” Sidoqoftë, duhet marrë parasysh edhe fakti “që ai ka paguar një gjobë të rëndë, askush nuk u lëndua, dhe lojtari nuk do të ketë një dosje kriminale.”
Adejemi ka premtuar fort që të mos bëj më një gabim të tillë: “Ne i besojmë që do ta mbajë fjalën.” Sipas kiker, sulmuesi nuk do të marrë një gjobë tjetër nga klubi, por në vend të saj do të kryej punë komunitare pas një marrëveshjeje të përbashkët midis Riken dhe drejtorit sportiv të DFB-së, Rudi Voler. Adejemi do të marrë pjesë në seanca stërvitore me fëmijët në Dortmund North Siti Ligë. Lojtari foli gjithashtu për herë të parë, duke shpjeguar:
“Në fillim të vitit 2024, nga pakujdesia dhe pa menduar vërtetë për atë që po bëja, porosita në internet një të ashtuquajtur ‘Misteri Boks’. Ajo përmbante objekte që janë të paligjshme sipas ligjit të armëve. Shumë muaj më vonë, paketa u dërgua dhe përfundoi e paprekur në stacionin e policisë.” Ai shtoi: “Ishte sërish një gabim i madh. Një gabim që e pendova thellësisht, që më kushtoi shumë dhe për të cilin ndjej keqardhje të madhe.”
Adejemi vazhdoi: “E di që jam në qendër të vëmendjes dhe kam përgjegjësi të jem një shembull. Nuk i qëndrova kësaj përgjegjësie. Pikërisht për këtë më dhemb kaq shumë fakti që veprova kaq pakujdesshëm. Kam mësuar nga kjo, më shumë sesa mund ta shpreh me fjalë. Dhe ju premtoj se do të shmang gabime të tilla në të ardhmen. Faleminderit të gjithëve që ende më besojnë dhe më mbështesin.”





