Strukturat e ujitje-kullimit në qarkun Durrës po ndjekin nga afër situatën e krijuar nga reshjet intensive të orëve të fundit, të cilat kanë sjellë vështirësi në argjinaturën e lumit Drojë, në Bashkinë Krujë.

Nënprefekti i qarkut Durrës, Xhek Xheka, nënkryetarja e Bashkisë Krujë, Yllka Kukalaj, drejtori i Drejtorisë së Ujitje-Kullimit Durrës,  Shpëtim Hidri, si dhe inspektorët e terrenit, kanë kryer inspektime të vazhdueshme në zonë për të vlerësuar situatën dhe për të garantuar ndërhyrjen e duhur.

Drejtoria e Ujitje-Kullimit Durrës ka vendosur menjëherë në punë dy ekskavatorë me krah të gjatë, të cilët kanë punuar pa ndërprerje për stabilizimin e argjinaturës dhe për mbrojtjen e sipërfaqeve bujqësore përreth.

Ekipet mbeten në gatishmëri të plotë dhe në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet vendore, deri në rikthimin e plotë të situatës nën kontroll dhe garantimin e sigurisë së zonës.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të vijojë të monitorojë nga afër situatën dhe të ndërmarrë çdo masë të nevojshme për parandalimin e dëmtimeve dhe mbrojtjen e komunitetit.