Në puntatën e djeshme të emisionit “Goca dhe Gra” në Top Channel, Rozana Radi ka konfirmuar zërat që qarkullonin prej kohësh se nuk është më në marrëdhënie të mira me këngëtarin grek Sany-n, me të cilin vitin e kaluar fitoi “Këngën Magjike”.

E pyetur nga Orinda Huta për thashethemet se nuk flasin më, Rozana nuk e mohoi, përkundrazi, pranoi hapur se mes tyre ka një hatërmbetje reale dhe se marrëdhënia është prishur.

“Vij nga një shkollë arti ku nuk ka as ‘i flas’, as ‘nuk i flas’,” nisi ajo të tregonte, duke lënë të kuptojë se pavarësisht se këtë vit dolën bashkë në skenë në “Këngën Magjike” për të dorëzuar kupën e fituesit, përplasja mes tyre nuk ishte thjesht thashethem, por një konflikt i vërtetë në prapaskenë.

Më tej, Rozana tregoi se sot nuk ka asnjë lidhje apo komunikim me Sany-n dhe e cilësoi atë si të pamirënjohës:

“Unë nuk kam asnjë lloj kontakti. Nuk më pëlqejnë njerëzit mosmirënjohës.”

Në fund, ajo zbuloi edhe shkakun konkret të kësaj prishjeje raportesh, duke treguar se emri dhe imazhi i saj janë përdorur për promovimin e koncerteve ku ajo nuk ishte e pranishme:

“U bë 1 muaj, 2 muaj që kisha dalë nga Big-u dhe shikoj veten në një poster koncerti në të cilin nuk merrja pjesë. Domethënë, është përdorur emri im, ata që kanë dashur të dëgjojnë muzikën time, kanë prerë bileta për të shkuar atje.”