Të martën, Erion Veliaj la për pak orë qelitë e paraburgimit të Durrësit për të qenë i pranishëm në gjykimin paraprak të dosjes ndaj tij në Gjykatën e Posaçme, ku me herët ishte përfaqësuar vetëm nga avokatët.

Në përballjen e tij të parë me gjyqtaren Etleva Deda, kryebashkiaku i Tiranës pretendoi se po i cenohej e drejta për mbrojtje efektive dhe se nuk po i respektohej dinjiteti.

Veliaj tha se 60 mijë faqet e dosjes avokatët e tij i kishin marrë me USB, ndërkohë që ai në paraburgim nuk mund të përdorë asnjë pajisje elektronike.

Për pasojë, kryebashkiaku tha se, nuk kishte parë asnjë faqe të dosjes, nuk kishte pasur asnjë mundësi të kuptonte akuzën, apo të përgatiste mbrojtjen dhe se kështu, i ishte shkelur brutalisht e drejta për mbrojtje efektive.

Ai u shpreh i gatshëm edhe të shkonte çdo ditë në gjykatë për të studiuar dosjen.

Kërkesa tjetër e Veliaj ishte nxjerrja nga kafazi i xhamtë në sallën e gjyqit, duke pretenduar se mbajtja e tij aty ishte denigruese, kjo edhe sipas praktikave të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Si argument mbështetë dha vajtjen në Kushtetuese.

“Para pak ditësh, tha Veliaj, unë kam qenë i pranishëm në Gjykatën Kushtetuese, gjykatën më të lartë të vendit dhe aty kam qenë i ulur, jo i mbyllur në kafaz.

Nuk pati asnjë shqetësim, asnjë incident, asnjë arsye sigurie.

Nëse gjykata më e lartë e Republikës së Shqipërisë ka vlerësuar se unë mund të paraqitem i lirë dhe me dinjitet para saj, është e pakuptimtë që në një gjykatë më të ulët të paraqitem si kërcënim për rendin publik”.

Kërkesat e kryebashkiakut nuk u konsideruar si të bazuara nga gjykata, që vendosi t’i refuzojë ato.

Me tej seanca u ndërpre me kërkesë të Veliajt, që kërkoi më shumë kohë për t’u konsultuar me avokatët mbrojtës.

Seanca e radhës do të mbahet më 5 dhjetor.