Prada njoftoi të martën se ka blerë Versace-n, duke bashkuar dy shtëpi të mëdha italiane të modës luksoze nën një çati.

Marrëveshja prej 1.38 miliardë dollarësh është shumë më poshtë se afërsisht 2 miliardë dollarët që ish-kompania mëmë e Versace-s, Capri Holdings, pagoi për markën në vitin 2018.

Blerja zgjeron portofolin e markave të dizajnit të Prada-s, përfshirë Miu Miu, ndërsa kërkon të konkurrojë me rivalët, si konglomeratin francez LVMH, i cili zotëron Dior dhe Fendi përveç Louis Vuitton.

Stilistja e famshme Donatella Versace dha dorëheqjen si shefe kreative e markës në mars, pas 27 vitesh në kompaninë e modës, e njohur për stilet e saj joshëse dhe logon ikonike me kokën e Meduzës.

Ajo mori drejtimin e kompanisë në vitin 1997, pas vrasjes së vëllait të saj Gianni. Ajo u zëvendësua nga Dario Vitale, më parë drejtor dizajni i Miu Miu, markës luksoze të Prada-s të fokusuar te të rinjtë.

Kompania po shitet me një humbje prej rreth 700 milionë dollarësh pasi shitjet e Versace u ngadalësuan, së bashku me shitjen e markave të tjera të Capri Holdings, të cilat përfshijnë Michael Kors dhe Jimmy Choo.

Gjatë pronësisë së Capri Holdings, Versace u zhvendos nga dizajnet e saj të njohura për të përqafuar një trend më minimalist, ndërkohë që rriti çmimet.

Prada tha në një deklaratë se ka përfunduar me sukses blerjen e Versace, pasi ka marrë të gjitha lejet e kërkuara rregullatore.

Të ardhurat nga shitja do të ndihmojnë në uljen e borxhit për Capri Holdings, ish-kompaninë mëmë të Versace-s, tha firma.