Fermerët grekë nuk tërhiqen nga protestat e tyre, duke vijuar bllokimin e rrugëve, deri në konfrontim edhe me Policinë.
Sot ata u përpoqën të ngrinin bllokada edhe në zyrën doganore të Promachona, në Serres, pasi traktorët arritën të anashkalonin barrierën e ngritur nga policia pak para orës 11:00.
Edhe pse policia ELAS kishte vendosur tre blloqe barrikade me rrugën në kryqëzimin e Lefkonas, fermerët arritën të çonin traktorët e tyre nëpër fusha dhe të gjendeshin në rrugën pas barrierës policore.
Incidente të vogla ndodhën gjatë mobilizimit të sotëm në kryqëzimin e Kiatos. Tensione pati edhe në bllokadën e Korintit.
Protesta prek edhe Shqipërinë në lëvizjen e mjeteve. Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në një njoftim të dytë, aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.
Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore. Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.





