Një histori e pazakontë ka ndodhur në Itali, ku një shqiptar përfundoi në pranga pasi theu urdhrin e gjykatës dhe shkoi të festonte Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në një lokal.

I dyshuari 57-vjeçar ishte nën arrest shtëpiak me byzylyk elektronik për veprën penale dhunë në familje, teksa ishte urdhëruar të mos i afrohej gruas së tij me distancë të caktuar.

Por teksa theu vendimin gjyqësor, ai shkoi në lokal për të festuar, aty ku dhe ishte bashkëshortja e tij. Byzylyku ​​elektronik u ndez dhe ai u arrestua. Kjo ndodhi mëngjesin e së dielës, dhe sot, më 3 dhjetor, arrestimi u vërtetua në Gjykatën në Macerata.

“Të dielën në mëngjes, burri kishte shkuar në një klub në Pollenza për të festuar festën e shqiptarëve (28 Nëntori), edhe pse me dy ditë vonesë (30 nëntor).

Gruaja e tij ishte gjithashtu atje; burri ka një urdhër mbrojtjeje kundër saj pas një ankese për abuzim të dyshuar. Pas raportimit, policia mbërriti në vendngjarje dhe e arrestoi atë”, shkruan media italiane.

Arrestimi u vërtetua në Gjykatën e Maceratës, para gjyqtarit Enrico Pannaggi. Arrestimi u vërtetua dhe shqiptari, i mbrojtur nga avokati Paolo Carnevali, u lirua sërish me një masë më të butë pasi dha shpjegimet e tij.