Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, i ka bërë thirrje qeverisë së pakicës të kryeministrit Rosen Zhelyazkov të japë dorëheqjen pas protestave masive këtë javë kundër buxhetit të saj të vitit 2026.

Qeveria të martën tërhoqi buxhetin, pas demonstratave mbarëkombëtare kundër rritjes së planifikuar të taksave. Ky është buxheti i parë i hartuar në euro përpara se shteti anëtar i Bashkimit Evropian të miratojë monedhën më 1 janar.

Kriza buxhetore është shenja e fundit e paqëndrueshmërisë politike në vendin ballkanik, i cili ka mbajtur shtatë palë zgjedhje në katër vjet, ndërsa një sërë koalicionesh të dobëta janë shpërbërë. Zgjedhjet e fundit u zhvilluan në tetor 2024, por parlamenti miratoi kabinetin vetëm në janar pas muajsh negociatash.

“Bullgaria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë që do të çojë në sundimin e ligjit dhe rivendosjen e shtetësisë dhe kjo është diçka që koalicioni aktual qeverisës nuk mund ta arrijë”, tha Radev në një fjalim mbarëkombëtar në transmetuesin shtetëror BNT të martën në mbrëmje.

Ai tha se protestat e së hënës kanë treguar se qeveria nuk ka arritur të përmbushë pritjet e popullit dhe duhet të japë dorëheqjen menjëherë.

“Zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja rrugë përpara”, tha Radev.