Një skandal i ri ka goditur gjimnastikën amerikane. Dy ish-gjimnaste, të cilat pretendojnë se kanë qenë viktima të abuzimeve seksuale në një akademi, kanë paraqitur padi civile kundër Federatës së Gjimnastikës së Shteteve të Bashkuara (USA Gymnastics) dhe Qendrës për Sport të Sigurt, një organizatë e pavarur që synon parandalimin dhe trajtimin e abuzimit dhe ngacmimeve në sportin amerikan. Ato argumentojnë se të dyja institucionet nuk vepruan pavarësisht denoncimeve të shumta kundër trajnerit Sean Gardner.

Paditë theksojnë se të dyja palët u njoftuan në vitin 2017 për sjelljet “të papërshtatshme dhe abuzive” të Gardner ndërsa punonte në një palestër në Misisipi: ai i përqafonte, i puthte vajzat dhe hynte me to në tualete. Megjithatë, sipas padive, asnjë nga institucionet nuk zhvilloi një hetim të plotë dhe nuk i hoqi licencën trajnerit. Gardner vazhdoi të punonte si trajner.

Në vitin 2018 u punësua në Institutin e Gjimnastikës dhe Vallëzimit “Chow’s” në West Des Moines (Ajoua), ku paditë pretendojnë se ai abuzoi ndaj tyre dhe vajzave të tjera të mitura. Edhe vetë institucioni, i themeluar nga trajneri olimpik Liang “Choë” Qiao, është paditur. Rasti u bë publik pas një sërë hetimesh të “Associated Press”, pas arrestimit të Gardner nga FBI në muajin gusht. Sipas padive, “USA Gymnastics” dhe “SafeSport” dështuan të ndërhynin, edhe pse vite pas skandalit të Larry Nassar, i cili çoi në krijimin e vetë Qendrës për Sport të Sigurt.

“Kultura e vënies së medaljeve dhe parave mbi sigurinë e fëmijëve vazhdon ende”, deklaroi avokati John Manly, anëtar i ekipit ligjor të gjimnasteve paditëse. “SafeSport” bëri të ditur se nuk ishte njoftuar për padinë, por sqaroi se Gardner u pezullua përkohësisht në vitin 2022 pas denoncimit të parë për sjellje seksuale të papërshtatshme.

“USA Gymnastics” shmangu komentet, duke pranuar vetëm “rëndësinë e rastit”. Gardner përballet me akuza federale për pornografi të fëmijëve. Hetuesit e akuzojnë për instalimin e një kamere të fshehtë në tualetin e një palestre në Purvis, Misisipi, në vitet 2017–2018, me qëllim regjistrimin e vajzave të mitura. Agjentët gjetën materiale me të paktën 10 viktima në pajisjet e tij elektronike.