Është kthyer në një pallat “të pushtuar” nga lagështira. Kjo është situata mjaft e rënduar në godinën 5 katëshe, me nr 971, në rrugën “Petrela”, në Durrës.
Hartat e lagështirës janë përhapur kudo në ambientet e përbashkëta, por edhe brenda 3 apartamenteve të katit të pestë. Ekziston rreziku që panelet parafabrikate të shkëputen në pikat e bashkimit nga ndryshku.



Për “DurrësLajm”, banorët shprehen se problemi është krijuar 2 vite më parë, kur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit u krye investimi që konsistonte në ndërhyrjen rigjeneruese në bllokun e banimit në lagjen nr.18 Durrës, ku u rikualifikuan 26 fasada pallatesh.
“Ka gati 2 vite, jemi në gjendje shumë të keqe. Çfarë bie jashtë, bie dhe brenda. Në banjo pikon komplet. Këtu përjashta nuk del dot kur është shi. Po rrezikojmë jetën, kalamajtë sidomos. Ngjitemi me frikë, zbresim me frikë. Kur fillon shiu, është vdekje për ne…”.
“Kur e rregulluan përjashta punëtorët, ka plasur taraca. Nuk e dimë pse. Tani gjithë lagjështira na futet brenda. Po të bjerë një pllakë, qoftë edhe gjysëm pllake ne ikëm të gjithë si banorë, ne tre familjet në kat të pestë edhe familjet poshtë”,- thonë banorët.


Shqetësimi i banorëve të këtij pallati u ngrit një ditë më parë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak nga nënkryetarja Edlira Devolli, e cila kërkoi nga bashkia zgjidhje për këto familje.
Në përgjigjen e tij, nënkryetari i bashkisë Elio Jani nënvizoi se problematika të ngjashme janë konstatuar në disa pallate në këtë zonë dhe do t’i kërkohet firmës, që ka kryer punimet të ndërhyjë për të normalizuar situatën.
Nëse nuk kryhet një ndërhyrje urgjente riparuese në pallatin nr.971, situata mund të kthehet në rrezik potencial për 15 familjet që banojnë aty.
M.B.





