Copa e vogël letre me çmimin në raft, ajo tabelë modeste që për dekada na tregonte qartë sa kushtonte një produkt, po zhduket dalëngadalë. Në vend të saj po vjen një realitet shumë më fluid, pothuajse i padukshëm: çmimet nuk janë më të fiksuara, por lëvizin.
Dy njerëz mund të blejnë të njëjtin produkt, në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend, por me çmime të ndryshme.
Dhe ajo që është edhe më interesante është fakti se shumica e konsumatorëve as nuk e vënë re. Ky ndryshim po vjen kaq ngadalë dhe kaq qetë, sa nuk e perceptojmë si revolucionin e vërtetë që është.
Mirë se vini në botën e çmimeve dinamike, botën ku çmimi nuk është një numër i shtypur në një copë letre, por një algoritëm. Nuk është më i fiksuar, por një funksion që ndryshon vazhdimisht duke marrë frymë me kërkesën, konkurrencën, orarin, pajisjen nga e cila blen, dhe mijëra faktorë të tjerë që algoritmet i llogarisin në kohë reale.
Ideja nuk është e re, linjat ajrore dhe hotelet e kanë përdorur këtë sistem për vite, por për herë të parë kjo logjikë po zbret në produktet e përditshme, në blerjet e zakonshme, në supermarket dhe dyqanet online. Ky është revolucioni më i qetë tregtar i dekadës së fundit.
Teknologjia që qëndron pas këtij sistemi është shumë më komplekse sesa duket. Algoritmet analizojnë sjelljen tuaj në internet: sa shpesh e shikoni një produkt pa e blerë, në ç’orë hyni në faqe, a është e premte pasdite kur kërkesa është e lartë apo e hënë në mëngjes kur njerëzit ngurrojnë, a po e kërkoni nga një iPhone apo një kompjuter i zakonshëm, çfarë po bën konkurrenca, a po mbarojnë stoqet.
Çdo klikim krijon një “moment blerjeje” unik dhe çmimi i produktit përshtatet në atë moment. Kështu çmimi pushon së qeni konstan bëhet një formulë që rillogarit veten çdo sekondë.
Kompanitë e adhurojnë këtë sistem sepse u jep mundësinë të rrisin fitimet, të menaxhojnë më mirë inventarin dhe të përdorin çmimet për të kontrolluar kërkesën.
Në momente të caktuara mund të shohim oferta të papritura thjesht sepse algoritmi llogarit se probabiliteti i blerjes është i ulët dhe duhet një shtytje.
Në epokën e konkurrencës agresive, çmimet dinamike janë kthyer në mjetin më të dashur të bizneseve, sepse funksionojnë si Inteligjencë Artificiale që mësohet dhe përmirësohet përditë.
Konsumatorët, nga ana tjetër, jetojnë në një realitet të dyfishtë. Shumë njerëz as nuk e kuptojnë se çmimet ndryshojnë përpara syve të tyre. Kur e kuptojnë, ndonjëherë e përjetojnë si fitore personale sikur gjetën një “çmim të fshehtë” ose blenë në kohën e duhur. Blerja shndërrohet në një lojë që të jep ndjesinë se po fiton kundër sistemit. Por sistemi është gjithmonë një hap përpara.
Dhe këtu fillon ana e errët e këtij fenomeni. Faktohet tashmë se çmimet dinamike mund të krijojnë pabarazi. Nëse algoritmi, bazuar në të dhënat tuaja, vlerëson se “mund të paguani më shumë”, ai do t’ju tregojë një çmim më të lartë.
Nëse jetoni në një zonë me të ardhura të larta, apo blini nga një pajisje premium, mund të paguani më shumë pa e ditur. Nëse sjellja juaj tregon se blini shpesh pa e menduar gjatë, algoritmi mund ta përdorë këtë kundër jush. Kjo është fytyra e padukshme e teknologjisë që askush nuk e pranon hapur, por ekziston.
Bota po shkon drejt një realiteti ku çmimet fikse janë një kujtim. Në SHBA, raftet elektronike në supermarkete tashmë janë të zakonshme. Çmimet ndryshojnë mijëra herë në ditë dhe askush nuk çuditet më.
Në thelb, debati nuk është teknik është social. Është çështje besimi. A mund të besojmë një sistem ku çmimet ndryshojnë sipas dëshirës së një algoritmi që nuk e shohim? A është loja e drejtë për të gjithë? Apo jemi duke hyrë në një botë ku transparenca humbet dhe çmimi është një negociatë e heshtur midis nesh dhe një sistemi që as nuk e kuptojmë dhe as nuk e kontrollojmë?
Çmimet dinamike nuk janë e ardhmja. Ato janë realiteti që po jetojmë sot. Dhe ndërsa Inteligjenca Artificiale bëhet arkëtuesi i padukshëm i çdo tregu, bota ku çmimet qëndronin të shtypura në një copë të vogël letre në raft është pothuajse një histori e shkuar.
Tashmë çmimi nuk është thjesht çmim. Është një marrëveshje e përkohshme, e përditësueshme, e cila ndryshon çdo moment, ndërsa algoritmi vendos se sa “duhet” të paguajmë.





