Një shqiptar është dënuar të hënën me 36 muaj burg, sepse në vitin 2020 ishte i përfshirë në një vjedhje të dhunshme në Grimbergen të Belgjikës.

Personi u identifikua në bazë të ADN-së së tij, e cila u gjet në një elektrik dore të lënë në vendin e ngjarjes.

Ai ishte dënuar tashmë në mungesë në vitin 2021, por së fundmi u arrestua.

Vjedhja ndodhi më 7 dhjetor 2020.

Një i ri nga Grimbergen po studionte në dhomën e ndenjjes kur dëgjoi zhurmën e xhamit që thyhej në katin e parë.

Kur shkoi të shihte se çfarë po ndodhte, ai e kapi në flagrancë një hajdut në dhomën e gjumit.

Ai e kapi hajdutin, por më pas u sulmua nga mbrapa dhe u rrëzua nga një hajdut i dytë. Të dy autorët u larguan dhe nuk mundën të identifikoheshin në atë moment.

Gjatë arratisjes, dyshja la pas një elektrik, në të cilin u gjet material ADN-je, që më pas çoi në identifikimin e një të dyshuari.

Ai u thirr para gjykatës penale në shtator 2021, por nuk u paraqit dhe u dënua në mungesë me 3 vjet burg.

Së fundmi, ai u shfaq sërish në Belgjikë dhe policia arriti ta arrestojë.

Pas arrestimit, ai paraqiti kundërshtim ndaj dënimit.

Prokuroria kërkoi që dënimi i mëparshëm prej 3 vitesh të konfirmohej, ndërsa vetë i pandehuri kërkoi shfajësim.

“Nuk kam asnjë ide se si ADN-ja ime ka përfunduar në atë pishtar, apo si ka përfunduar ai pishtar në atë shtëpi.

Nuk di asgjë për këtë ngjarje,” deklaroi ai. “Për më tepër, kam dy fëmijë dhe një grua shtatzënë.

Kush do ta paguajë qiranë tonë nëse unë jam në burg?”

Sipas gjykatës, ADN-ja në elektrik ishte provë e mjaftueshme se burri ishte realisht i përfshirë në vjedhje. Ai u dënua me 36 muaj burg.