Pastrimi i mëlçisë dhe zorrëve nuk kërkon dieta ekstreme, por zgjedhje të zgjuara ushqimore që mbështesin proceset natyrale të detoksifikimit. Sipas salute.it, mëlçia përpunon toksinat çdo ditë, ndërsa zorrët largojnë mbeturinat dhe ruajnë ekuilibrin e mikrobiotës, thelbësore për tretjen dhe energjinë.

Perimet e hidhura si cikorja, rukola, radikioja dhe angjinaret stimulojnë tëmthin dhe lehtësojnë punën e mëlçisë. Po aq të rëndësishme janë ushqimet e pasura me squfur – hudhra, qepët, brokoli dhe preshi – të cilat forcojnë enzimat pastruese. Agrumet dhe frutat antioksiduese, përfshirë limonin, grejpfrutin dhe boronicat, ofrojnë mbështetje shtesë.

Në listën e rekomandimeve futen edhe çaji jeshil, i pasur me katekina, si dhe shafrani i Indisë, i njohur për vetitë anti-inflamatore.

Për zorrët, fokusi është te fibrat dhe prebiotikët. Tërshëra, mollët, bishtajoret dhe farat chia ushqejnë mikrobiotën, ndërsa perimet dhe drithërat integrale përmirësojnë tranzitin. Ushqimet prebiotike, si shpargu dhe bananet, ndihmojnë ekuilibrin bakterial, ndërsa të fermentuarat – kos, kefir, lakër turshi dhe miso – sjellin probiotikë natyralë.

Antioksidantët mbeten kyç. Frutat e kuqe, shega, spinaqi, xhenxhefili dhe panxhari luftojnë stresin oksidativ, dhe betaina në panxhar mbështet veçanërisht funksionin e mëlçisë.

Ekspertët theksojnë se një rutinë e thjeshtë ditore, e kombinuar me hidratuim të vazhdueshëm, mjafton për të mbështetur pastrimin natyror të organizmit, pa masa drastike apo kufizime të tepruara.