Në lagjen nr.18 në Durrës, në bllokun e pallateve parafabrikate, që 2 vite më parë iu nënshtruan ndërhyrjes rigjeneruese të realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ka nisur heqja e depozitave të ujit nga taracat.
Në 2 pallatet e para, rrjeti i furnizimit me ujë është lidhur me depozitat e përbashkëta të vendosura në sheshpushimin mes godinave.

Ditë më parë, “DurrësLajm” trajtoi problematikën e pallatit nr.971 të pushtuar nga lagështira.
Pikërisht nga ky pallat ka nisur ndërhyrja që po realizohet nga punonjësit e ujësjellësit dhe firmës, që ka realizuar punimet në fasadat e godinave dhe veshjen e tyre me kapotë.


Të njëjtën problematikë me pallatin nr.971 e vuan edhe godina 5 katëshe nr. 965, siç na rrëfen një banore e katit të tretë, në apartamentin e së cilës kanë nisur të shfaqen hartat e lagështirës prej disa muajsh.
Heqja e depozitave nga taracat e pallateve parafabrikate në lagjen nr.16 dhe nr.18 synon zgjidhjen e përhershme të problematikave të krijuara nga lagështira.

Furnizimi me depozita të përbashkëta lind tek banorët nevojën për mirëmenaxhimin e ujit.
Procesi i heqjes së depozitave personale nga taracat e pallateve dhe lidhja e rrjetit të furnizimit me ujë me depozitat kolektive do të kryhet fillimisht në 20 pallate, për t’u shtrirë më tej në më shumë se 100 godina të tjera.
M.B.





