E ardhmja e Davide Frattesit te Interi është vënë sërish në dyshim, sipas Tuttosport. Mesfushori 24-vjeçar kishte shpresuar se me kalimin nga Simone Inzaghi te Cristian Chivu do të fitonte më shumë minuta, por gjysma e parë e sezonit ka treguar të kundërtën. Ai është tejkaluar në hierarki nga Zielinski – i cili luajti më pak sezonin e kaluar – dhe nga Sucic, i ardhur në verë. Kjo situatë ka shtyrë ish-mesfushorin e Sassuolos të mendojë seriozisht largimin në merkaton e janarit, duke bërë që Juventusi të ndjekë me shumë interes zhvillimet.
Në Torino po shohin një mundësi të artë. Luciano Spalletti, trajneri që shfrytëzoi më së miri aftësitë sulmuese të Frattesit në kombëtare, duke e kthyer në një “makineri golash” (7 gola me Italinë nën drejtimin e tij), mund të luajë rol kyç në afrimin e tij. Me Juventusin që po eksperimenton formacionin 4-2-3-1, bardhezinjtë kërkojnë pikërisht një mesfushor të gjithanshëm: dikë që lidh lojën, sulmon hapësirat dhe shtyn ekipin përpara — profile që Frattesi i përmbush plotësisht. Bisedimet për rinovimin me Interin deri në 2030, të konsideruara formalitet në shtator, janë ngrirë. Sipas burimeve, agjentë nga skuadra e menaxherit Beppe Riso janë parë në selinë e Juventusit.
Zyrtarisht ishte një vizitë mirësjelljeje, jozyrtarisht – një takim i parë me drejtuesit Comolli dhe Modesto për të testuar terrenin e një marrëveshjeje të mundshme. Interi e vlerëson Frattesin rreth 35 milionë euro — shumë e lartë për një lojtar që nuk konsiderohet më thelbësor në projektin teknik. Por presioni i vetë Frattesit, nëse ai vendos të largohet, mund ta detyrojë klubin zikaltër të ulë kërkesat ose të negociojë më fleksibël. Me janarin që po afron, skenari Inter–Juventus pritet të jetë një nga sagat më të nxehta të merkatos dimërore. Një lëvizje e Frattesit drejt Torinos tashmë nuk duket aspak e pamundur.





