Football Supporters Europe kanë lëshuar një deklaratë duke i bërë thirrje FIFA-s që të ndalojë menjëherë shitjen e biletave. Ndërsa emocionet e shortit zbehen, realiteti po bëhet i dukshëm për tifozët e Skocisë, të cilët, si shumë të tjerë, tani rrezikojnë të përjashtohen nga turneu i verës së ardhshme. Ndërsa çmimet e biletave për Kupën e Botës 2026 arrijnë një shifër “historikisht” të lartë, Football Supporters Europe (FSE) ka bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të shitjes së biletave. Ata lëshuan një deklaratë pasi u vërtetua se biletat e ndara për Shoqatat Anëtare Pjesëmarrëse (PMA) do të arrinin një çmim rekord për ndeshjet në grup. Anëtarët e Scotland Supporters Club pritet të marrin më pak se 4,000 bileta për ndeshje.
Për më tepër, nëse një tifoz do të donte të ndiqte vendin e tij nga ndeshja e parë deri në finale, do të duhej të paguante rreth 7,000 dollarë të plota në shkurt, një rritje e konsiderueshme nga turneu i mëparshëm në Katar. Gjithashtu, këto para nuk do të rimbursoheshin deri në korrik në rast të një eliminimi më të hershëm. Një tjetër risi për këtë Kupë Bote është se biletat e ndeshjes po shiten në bazë të ‘interesit’ për ndeshjen, një llojë ankandi, në vend të një çmimi fiks. Për shembull, ndeshja hapëse e Skocisë kundër Haitit në Boston do të kushtojë 372 stërlina ndërsa ndeshja e Marokut në të njëjtin vend do të kushtojë 447 stërlina.
Në shenjë proteste ndaj sistemit të ri të biletave, një deklaratë e FSE-së thoshte: “Football Supporters Europe është e habitur nga çmimet e larta të biletave të vendosura nga FIFA për mbështetësit më të përkushtuar për Kupën e Botës FIFA të vitit të ardhshëm. Në tabelat e çmimeve të publikuara gradualisht dhe në mënyrë konfidenciale nga FIFA, biletat e ndara për Shoqatat Kombëtare (PMA – Shpërndarja e Shoqatave Anëtare Pjesëmarrëse), të cilat zakonisht i shpërndajnë ato nëpërmjet grupeve zyrtare të mbështetësve ose programeve të besnikërisë për tifozët e tyre më të përkushtuar, po arrijnë nivele astronomike.”
“Bazuar në informacionin që FSE ka aktualisht në dispozicion, nëse një tifoz do të ndiqte ekipin e tij nga ndeshja e parë deri në finale përmes një ndarjeje të PMA-së, kjo do t’i kushtonte atij të paktën 6900 dollarë amerikanë, pothuajse pesë herë më shumë se gjatë Kampionatit Botëror FIFA 2022 në Katar. Tifozët e ekipit kombëtar pritet ta paguajnë këtë shumë të plotë në fillim të vitit 2026 për të pasur mundësinë të ndjekin ekipin e tyre deri në finale.” “Për të shtuar edhe më shumë fyerjen, kategoria e çmimeve më të ulëta nuk do të jetë në dispozicion të mbështetësve më të përkushtuar përmes Shoqatave të tyre Kombëtare, pasi FIFA zgjodhi të rezervojë numrin e pakët të biletave të kategorisë 4 për shitjet e përgjithshme, në varësi të çmimeve dinamike të biletave. Kjo është një tradhti monumentale e traditës së Kupës së Botës, duke injoruar kontributin e mbështetësve në spektaklin që është.”
Deklarata vazhdoi: “Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, nuk do të ofrohet asnjë çmim i qëndrueshëm në të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve. Në vend të kësaj, FIFA po prezanton një politikë çmimesh të ndryshueshme që varet nga kritere të paqarta, siç është atraktiviteti i perceptuar i ndeshjes. Prandaj, tifozët e ekipeve të ndryshme kombëtare do të duhet të paguajnë çmime të ndryshme për të njëjtën kategori në të njëjtën fazë të turneut, pa asnjë transparencë mbi strukturën e çmimeve të zbatuar nga FIFA.”
“Dokumenti i ofertës i publikuar në vitin 2018 premtonte bileta me çmime deri në 21 dollarë amerikanë. Ku janë këto bileta tani? Sipas të njëjtit libër ofertash, biletat deri në finale duhej të kushtonin 2242 dollarë amerikanë në kategorinë më të lirë. Ky premtim ka ikur prej kohësh.” “Ne i bëjmë thirrje FIFA-s që të ndalojë menjëherë shitjet e biletave të PMA-së, të angazhohet në një konsultim me të gjitha palët e prekura dhe të rishikojë çmimet e biletave dhe shpërndarjen e kategorive derisa të gjendet një zgjidhje që respekton traditën, universalitetin dhe rëndësinë kulturore të Kupës së Botës.”





