U thirr nën moton “Protesto kundër vjedhjes së qytetarëve” dhe u reklamua si një protestë  pa ngjyrim politik, por thirrjes ju përgjigjën pak qytetarë durrsakë, më pak se gishtat e njërës dorë.

Sipas organizatorit Oresti Berberi, që pavarësisht se është i angazhuar politikisht tentoi të organizonte një protestë jo partiake, është e vështirë që njerëzit të dalin spontanisht dhe të ngrenë zërin për shqetësimet, që kanë. 

Në sheshin para bashkisë ishin sot të pranishëm në protestë vetëm dy familje, të mbetura të pastreha nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.   

Njëri nga protestuesit ngriti shqetësimin për mos futjen në apartamentet e reja të ndërtuara në sitin e Spitallës, për shkak se nuk u janë dorëzuar ende çelësat, pavarësisht se iu nënshtruan shorteut publik në gusht të vitit të kaluar.

Për të pastrehët e tërmetit, ndërprerja e bonusit të qerasë prej 2 vitesh ua ka vështirësuar jetesën së tepërmi, edhe për shkak se çmimet e qirave të banesave kanë arritur majat.

Megjithëse në shesh ishin thirrur për t’ju bashkuar protestës të gjithë qytetarët që kanë protestuar vitet dhe muajt e fundit, mesditën e kësaj të hëne protestës i munguan pjesëmarrësit!

M.B.