Ndeshja mes Teutës dhe Tiranës në “Niko Dovana” nuk ishte thjesht një përballje për pikë, por një spektakël i mbushur me tension, emocione dhe momente të veçanta. Para fillimit, lojtarët Angelo Tafa dhe Erando Karabeci u takuan me ish-shokët e tyre te Teuta, ndërsa pankina e bardhebluve kujdesej për qetësinë me zërin e Grend Halilit.

Atmosfera e stadiumit ishte e ndarë, me tifozët e “Djemtë e Detit” që duartrokisnin ekipin e tyre, dhe “Tirona Fanatics” që protestonin për situatën e bardhebluve. Në këtë sfidë nuk munguan momentet dramatike: protesta e Tiranës në pjesën e dytë, debutimi i talentit 17-vjeçar Grei Kuqi, por edhe tensionet në fushë që i detyruan stafet të ndërhynin për të qetësuar situatën.

-Para takimit Angelo Tafas dhe Erando Karabeci, u takuan me ish-shokët e tyre te Teuta.

-”Tafe, Tafe, qetë, qetë, mos e vono”, dëgjohej nga pankina zëri i Grend Halilit.

-Para nisjes së pjesës së dytë, lojtarët e Tiranës nuk dolën në fushë në shenjë proteste, teksa një zyrtar i drejtohet arbitrit Bajramaj: “Po pse e jep atë penallti, se është turp. Të dobët jemi, por na lër të merremi me ekipin tonë.” “Faull është”, dëgjohet të përgjigjet arbitri.

-E veçanta në “Niko Dovana” ishte minuta e 85-të, kur në lojë u aktivizua Grei Kuqi, vetëm 17 vjeç, duke bërë debutimin e tij të parë me ekipin e të rriturve. Potenciali dhe talenti i tij pritet ta ndihmojnë të rritet edhe më shumë, ndërsa në Durrës kanë një xhevahir të ri në gjirin e tyre.

-Atmosferë e bukur në Durrës nga dy grupet e tifozëve, “Djemtë e Detit” dhe “Tirona Fanatics”. Këta të fundit dëgjoheshin duke thënë: “Këtu vetëm për Tiranën, se ju s’na meritoni”, në shenjë proteste ndaj situatës ku ndodhen bardheblutë. Në fund të ndeshjes, ata nuk e përshëndetën ekipin. -Në krahun tjetër, situata ishte më e bukur, pasi “Djemtë e Detit” duartrokitën skuadrën e tyre, pavarësisht rezultatit.

-Pasi gjyqtari vërshëlleu për fundin e takimit, kishte përplasje mes futbollistëve të dy skuadrave në fushë dhe pat momente tensioni. Në fund pati tension, ku mbrojtësi i Tiranës, Ndong, provokoi lojtarin e Teutës, Myszor, por ndërhyrja e shpejtë e dy stafeve qetësoi situatën.