Mbushja që zgjedhim për sanduiçin tonë të përditshëm mund të ketë një ndikim shumë më të madh në shëndet sesa duket në shikim të parë, paralajmërojnë ekspertët e ushqyerjes.
Studime të shumta kanë treguar prej vitesh se konsumi i tepërt i ushqimeve ultra të përpunuara lidhet me rritjen e rrezikut për tension të lartë të gjakut, atak në zemër, goditje në tru dhe madje edhe vdekje të parakohshme.
Megjithatë, shumë persona që konsumojnë sanduiçe të gatshme apo ushqim të shpejtë çdo ditë shpesh nuk janë të vetëdijshëm se dreka e tyre e zakonshme mund të mos jetë zgjedhja më e shëndetshme, raporton Index.hr.
Sipas Victoria Taylor, dietologe e lartë në Fondacionin Britanik të Zemrës (BHF), më shumë se gjysma e energjisë ditore që merr një person mesatar vjen nga ushqime ultra të përpunuara.
Ajo thekson se kjo nuk është për t’u habitur, pasi këto ushqime janë të lira, praktike, të shijshme dhe të reklamuara gjerësisht.
Megjithatë, ushqimet ultra të përpunuara zakonisht përmbajnë sasi të mëdha aditivësh si konservues, emulsifikues, ëmbëlsues dhe aroma artificiale, të cilat zgjasin afatin e ruajtjes, por ulin vlerën ushqyese dhe mund të kenë pasoja negative për shëndetin.
Ndër mbushjet më problematike në sanduiçe renditen proshuta, sallami, salçiçet dhe djathi i përpunuar, të cilat kanë përmbajtje të lartë yndyrnash të ngopura, kripe dhe shpesh sheqernash të fshehura.
Edhe buka e paketuar paraprakisht, si dhe disa zëvendësues të mishit dhe djathit me bazë bimore, përfshihen në kategorinë e ushqimeve ultra të përpunuara.
Ekspertët theksojnë se zgjidhja nuk është eliminimi i plotë i këtyre ushqimeve, por balanca dhe zgjedhjet më të zgjuara.
BHF rekomandon përfshirjen e ushqimeve minimalisht të përpunuara në dietë, konsumimin e frutave dhe perimeve me vaktet, zgjedhjen e ujit në vend të pijeve me sheqer dhe gatimin në shtëpi disa herë në javë.
Gjithashtu, nutricionistët këshillojnë leximin e deklaratave ushqimore, pasi kjo ndihmon në uljen e marrjes së sheqerit, kripës dhe yndyrnave të ngopura.
Sipas tyre, edhe ndryshimet e vogla – si zgjedhja e mbushjeve më të shëndetshme për sanduiç – mund të kenë ndikim të madh në shëndetin afatgjatë.





