Është rihapur procesi i aplikimit për qytetarët e Durrësit, banesat e të cilëve janë të dëmtuar nga tërmeti, por që në muajin shkurt e patën të pamundur të aplikonin.
Pa shumë zhurmë, madje dhe pa asnjë njoftim zyrtar nga bashkia, tek ish-zyrat e ALUIZNI-t, qytetarë të shumtë janë paraqitur ditën e sotme me dokumentet e kërkuara për të kryer aplikimin, për të përfituar nga granti i rindërtimit.
Për shkak të arsyeve të ndryshme, shumë qytetarë durrsakë u privuan nga mundësia për të aplikuar tek “Shtëpia ime” në muajin shkurt të këtij viti. Megjithëse gjatë muajve të fundit kanë qenë të shumtë qytetarët që pyesnin nëse do të rihapej sërish aplikimi, bashkia justifikohej me faktin se procesi mund të rihapej vetëm me urdhër nga lart.
Nuk dihet nëse rihapja e aplikimeve u bë pikërisht ditën e sotme, meqe kryeministri Rama ishte në Durrës për t’u informuar nga afër lidhur me procesin e rindërtimit, në qytetin më të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.
Njëkohësisht e habitshme ishte edhe deklarata e kryebashkiakes Emiriana Sako dhe ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj, të cilët deklaruan sot para kryeministrit se qytetarët e Durrësit do të përfitonin 2.5 miliardë lekë nga 2.1 miliardë lekë që u miratua ditën e mërkurë me vendim qeverie. Pra rreth 4 milionë dollarë më shumë sesa ç’vendosi qeveria vetëm pak ditë më parë. Duket se ky fond që pritet të shtohet do të shkojë pikërisht për këta qytetarë që po aplikojnë këto ditë.
E çuditshme është edhe koha e përzgjedhur për të rinisur aplikimet, pikërisht ditën e shtunë, që për administratën është ditë pushimi.
DurrësLajm komunikoi me disa nga qytetarët që po mbanin radhën dhe disa prej tyre u shprehën se u ishte thënë nga burime të ndryshme se aplikimi mund të rihapej këto ditë dhe ata duhet të vinin të interesoheshin vetë pranë zyrave.
Nga listat e miratuara deri tani nga Këshilli Bashkiak Durrës janë miratuar gjithsej 7449 qytetarë që do të përfitojnë grantin e dëmshpërblimit për dëmtimet në shkallën DS1, DS2 dhe DS3 që kanë pësuar banesat e tyre.
M.B.





