Në shkollën “Kushtrimi i Lirisë”, në klasën 3-A, këto ditë u shkrua një histori e bukur solidariteti, që dëshmon se mirësia nuk matet me moshën, por me zemrën. Nxënësit e kësaj klase, nën kujdesin dhe udhëheqjen e mësueses së tyre, Vilma Drasa, treguan se fëmijët mund të jenë shembull frymëzimi për të gjithë shoqërinë.
Me shumë dashuri dhe përgjegjësi, të ndihmuar edhe nga prindërit e tyre, fëmijët kursyen nga të ardhurat e tyre të pakta dhe, së bashku, blenë ushqime, rroba dhe dhurata për të ndihmuar dy familje që ndodhen në vështirësi të theksuara ekonomike.


Çdo kontribut, sado i vogël, u kthye në një akt të madh humanizmi dhe solidariteti.
Ky aktivitet u realizua me mbështetjen e Shërbimit Social dhe specialistes Anisa Allka pranë Bashkisë së Durrësit, të cilët ndihmuan në identifikimin dhe shpërndarjen e ndihmave tek familjet në nevojë.



Për këta fëmijë, kjo nismë nuk ishte vetëm një akt bamirësie, por një mësim i çmuar jete: të ndajnë me të tjerët, të tregojnë empati dhe të kuptojnë se të ndihmosh është një vlerë që të pasuron shpirtërisht.
Ata mësuan se mirësia ka fuqi të shumëfishohet dhe se një dorë e shtrirë në ndihmë mund të sjellë shpresë dhe buzëqeshje.

Klasa 3-A e shkollës “Kushtrimi i Lirisë” na kujton se e ardhmja ndërtohet që sot, me fëmijë të edukuar me vlera, ndjeshmëri dhe dashuri për njëri-tjetrin. Sepse, kur zemrat janë të mëdha, edhe veprat bëhen të pavdekshme.





