Forcat detare kolumbiane kanë sekuestruar 27 tonë kokainë nga një numër anijesh në oqeanet Paqësor dhe Atlantik, tha presidenti kolumbian, Gustavo Petro.

”Nëntë tonë u konfiskuan në disa anije në Paqësor, me forca nga Australia, Panamaja, Kosta Rika dhe Salvadori gjithashtu të përfshira në operacion”, tha ai në X.

Një operacion i dytë i mbështetur nga forcat policore evropiane kapi 18 tonë kokainë pranë Ishujve Kanarie të Spanjës, të cilat ndodhen në Atlantik pranë Afrikës perëndimore.

”Rreth 20 të dyshuar u arrestuan në të dy operacionet”, sipas presidentit, i cili e përshkroi veprimin e kryer gjatë dy ditëve si ndoshta një nga sekuestrimet më të mëdha në histori pa asnjë vdekje të vetme.

Kjo vjen ndërsa ushtria amerikane filloi të shënjestrojë anijet e dyshuara të drogës në Karaibe dhe Paqësor gjatë muajve të fundit.

Më shumë se 80 persona janë vrarë nga sulmet deri më tani.

Ekspertët e të drejtave të njeriut të OKB-së kanë thënë se operacionet mund të shkelin ligjin ndërkombëtar, duke i përshkruar vrasjet si vrasje të paligjshme jashtëgjyqësore.

Kolumbia, prodhuesi më i madh i kokainës në botë, është shtëpia e më shumë se 250 000 hektarëve të dedikuar për kultivimin e bimës së kokës, sipas Kombeve të Bashkuara.

Nga Kolumbia, droga kontrabandohet me anije për në SHBA dhe Evropë.

Uashingtoni ka sanksionuar presidentin kolumbian Petro me akuzë se nuk i është përmbajtur detyrimeve ndërkombëtare për të luftuar drogën.