Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim kanë zhvilluar një vizitë në Bazën Detare të Pashalimanit, si dhe kanë kryer një udhëtim të shkurtër me anijen Butrinti P-134 përgjatë Gjirit të Vlorës.

Në një postim në Facebook, Xhaçka shkruan se po vlerësohet mundësia me NATO-n që kjo bazë të modernizohet dhe të transformohet në një projekt model.

STATUSI I XHAÇKËS

Me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim zhvilluam një vizitë në Bazën Detare të Pashalimanit, për të cilën bashkë me Aleancën po vlerësojmë mundësinë e modernizimit dhe transformimit në një projekt model të NATO-s.

Me pas, një udhëtim i shkurtër në Gjirin e Vlorës u mundësua nga anija Butrinti P-134, e cila ka marrë pjesë disa herë në operacionin “Sea Guardian” të NATO-s në detin Egje duke shpëtuar me qindra emigrantë.

Me aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajmë jo vetëm misione të rëndësishme në teatrot operacionalë por edhe qëllimin e përbashkët për modernizimin e Forcave tona të Armatosura.
#KrahPërKrah