Udhëtimet janë kthyer në një pjesë gjithnjë e më të rëndësishme të jetës së qytetarëve shqiptarë, veçanërisht në vitet e fundit, ku vihet re një rritje e ndjeshme e lëvizjeve turistike.

Destinacionet variojnë nga vendet e rajonit dhe Europa, deri edhe më gjerë. Por cilat janë shtetet e rajonit ku shqiptarët kanë udhëtuar më shumë dhe cilat destinacione kryesojnë listën e preferencave të tyre?

Sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit, shumica e shqiptarëve që kanë udhëtuar brenda rajonit kanë zgjedhur Kosovën si destinacionin kryesor. Plot 38% e të anketuarve deklarojnë se kanë udhëtuar drejt Kosovës, duke shënuar një rritje prej 11% krahasuar me vitin e shkuar.

Ky trend lidhet ngushtë me afërsinë gjeografike, lidhjet familjare, si edhe traditat dhe kulturën e përbashkët mes dy vendeve.

Në vendin e dytë renditet Mali i Zi, ku 20% e të anketuarve shprehen se kanë udhëtuar gjatë këtij viti. Kjo prirje shpjegohet kryesisht me ofertën turistike të vendit, pasi Mali i Zi mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara në rajon, veçanërisht gjatë sezonit veror, falë bregdetit dhe infrastrukturës turistike.

Pas këtyre dy vendeve, një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve, rreth 18%, deklarojnë se kanë udhëtuar drejt Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, udhëtimet drejt vendeve të tjera të rajonit mbeten më të kufizuara. Bosnje-Hercegovina dhe Serbia regjistrojnë përqindjet më të ulëta, përkatësisht me 4% dhe 2%.

Megjithatë, një shifër domethënëse është fakti se 52% e të anketuarve deklarojnë se nuk kanë udhëtuar në asnjë nga vendet e rajonit, çka tregon se, pavarësisht rritjes së interesit për udhëtime, një pjesë e madhe e popullsisë ende nuk përfshihet aktivisht në turizmin rajonal.

Nga ana tjetër qytetarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë udhëtuar më shumë drejt Shqipërisë përkatësisht 66% dhe 31% e qytetarëve shprehen të kenë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin rajonal. /Scantv