Edhe pse dieta mesdhetare mbetet modeli ushqimor me përfitime të shumta për shëndetin, duket se mund të marrim mësime të vlefshme edhe nga pjatat e… Vikingëve, veçanërisht sa i përket rregullimit të sheqerit në gjak dhe shëndetit të mëlçisë.

Sipas një studimi të ri të publikuar në revistën Nature Communications, një dietë skandinave e shëndetshme, e pasur me fibra dhe e varfër në yndyra të ngopura, mund të kontribuojë ndjeshëm në përmirësimin e diabetit të tipit 2, si edhe të sëmundjes joalkoolike të mëlçisë yndyrore.

Studiuesit nga Universiteti i Upsalës krahasuan tre qasje të ndryshme ushqimore dhe zbuluan se e ashtuquajtura “dietë skandinave e shëndetshme” ishte më efektive si krahasuar me dietën me pak karbohidrate, ashtu edhe me rekomandimet zyrtare ushqimore skandinave.

Si u krye studimi

Në studim morën pjesë 150 persona me diabet të tipit 2 ose paradiabet, të cilët u ndanë rastësisht në tre grupe dhe ndoqën për një vit:

Dietë me pak karbohidrate, me kufizim të produkteve shtazore dhe theks te yndyrat poliyngopura me origjinë bimore.
Dietë skandinave e shëndetshme, e ngjashme me dietën mesdhetare, që përfshinte drithëra integrale, fruta, perime, peshk, produkte qumështi me pak yndyrë dhe vajra bimore.
Dietë kontrolli, bazuar në rekomandimet zyrtare ushqimore.

Në të tria grupet u kërkua kufizimi i mishit të kuq dhe të përpunuar, pijeve me sheqer dhe ëmbëlsirave.

Rezultate mbresëlënëse brenda një viti

Pas një viti ndjekjeje, pjesëmarrësit që ndoqën dietën skandinave shfaqën:
-Ulje mbi 20% të yndyrës në mëlçi

-Kontroll më të mirë të sheqerit në gjak
-Përmirësim të përgjithshëm të profilit metabolik

Madje, më shumë se gjysma e tyre përjetuan regresion të sëmundjes së mëlçisë yndyrore.

“Dieta skandinave e shëndetshme dha rezultatet më të mira te pacientët me diabet. Gjetjet janë po aq të rëndësishme si për diabetin e tipit 2, ashtu edhe për mëlçinë yndyrore”, shpjegon drejtuesi i studimit, profesori i Ushqyerjes Klinike dhe Metabolizmit, Ulf Risérus.

Pse u dallua dieta skandinave

Edhe pse të gjitha dietat patën efekte pozitive, dieta skandinave rezultoi më efektive në:

-Rregullimin afatgjatë të sheqerit në gjak
-Uljen e peshës trupore
-Reduktimin e inflamacionit
-Uljen e kolesterolit “të keq” LDL
-Përmirësimin e funksionit të mëlçisë

Vlen të theksohet se pjesëmarrësit humbën peshë pa kufizime strikte kalorike.

“Edhe kur njerëzit ushqeheshin lirshëm me ushqimet e rekomanduara, u vu re humbje peshe, gjë që e bën këtë dietë më të lehtë dhe të qëndrueshme në afat të gjatë”, thekson autori kryesor i studimit, Michael Fridén.

Studiuesit zbuluan se humbja e peshës shpjegonte vetëm 56% të reduktimit të yndyrës në mëlçi, çka tregon se cilësia e ushqimit luan rol vendimtar, përtej kalorive.

“Gjetjet tona hapin rrugën për qasje të reja ushqimore, të bazuara shkencërisht, në trajtimin afatgjatë të diabetit”, përfundon profesori Risérus.