Këshilli i Ministrave miratoi sot kompensimin e të ardhurave mujore deri në 1 800 lekë në muaj për personat me të ardhura deri në 40 000 lekë në muaj sipas disa kategorive.
Sipas vendimit të qeverisë, përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 800 lekë në muaj personat me të ardhura deri në 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë në muaj; përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 1 000 (një mijë) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj; përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 600 (gjashtëqind) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë në muaj.
Gjithashtu përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 700 (shtatëqind) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj; përfitojnë mbështetje financiare për vitin 2025, në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë, kategoritë e mëposhtme: Familjet dhe individët, që trajtohen me ndihmë ekonomike; Fëmijët pa kujdes prindëror, të vendosur në familje kujdestare; Personat me aftësi të kufizuara; Individët përfitues të statusit; “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, Individët përfitues të statusit “Për statusin e të verbrit”; Ndihmësit personalë të përfituesve të pagesave të aftësisë së kufizuar.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi llogariten në shumën 9 800 960 000 lekë, të cilat ndahen: 9 728 460 000 lekë, për mbulimin e pagesave të kompensimit të të ardhurave mujore të pensionistëve; 72 500 000 lekë shpenzime administrative për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga Posta Shqiptare, sh.a. dhe bankat e nivelit të dytë.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në shumën 9 800 960 000 lekë do të përballohen nga buxheti i shtetit, i planifikuar në buxhetin për sigurimet shoqërore, për vitin 2026.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.





